Arbëri

Mbi 150 thasë mbeturina largohen nga “Mati 1” në Prishtinë

Dhjetëra vullnetarë të Let’s Do It Kosova kanë larguar mbi 150 thasë me mbeturina në aksionin e radhës të pastrimit që u mbajt sot në lagjen “Mati 1” në Prishtinë, në kuadër të fushatës më të madhe në vend “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Aksionit të sotëm për pastrimin e një deponie ilegale të mbeturinave në rrugën “Muharrem Fejza” iu bashkuan edhe punëtorët e Kompanisë “PR Solutions”, ndërsa thasët me mbeturina u larguan nga Kompania “Pastrimi”.

Drejtori ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj ka thënë se duhet të ngritët vetëdija e qytetarëve për rëndësinë e mirëmbajtjes së hapësirave ku ata jetojnë.

Ai u ka bërë thirrje Komunës së Prishtinës dhe ndërmarrjeve të pastrimit që të rrisin kapacitetet dhe numrin e konteinerëve në zona të banuara, në mënyrë që të mos krijohen deponi të tilla të mbeturinave në kryeqytet.

“Një situatë e cila nuk është aspak e këndshme dhe mund të themi aspak e kuptueshme që banorët, të cilët banojnë këtu ta krijojnë këtë deponi këtu në mes të hapësirës ku ata vetë jetojnë. Por, shqetësuese është edhe mos-efikasiteti i ndërmarrjeve që merren me menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Prishtinës. Në këtë zonë ku jemi, pamë shumë pak kontenierë. Banorët na thanë se shumë pak prej tyre janë pjesë e shërbimit të ndërmarrjes, që nënkupton se përderisa ata vetë nuk e kanë shërbimin atëherë ata krijojnë këto pamje si këto këtu duke hedhur bërllokun, vend e pa vend. Institucionet përgjegjëse duhet të rrisin kapacitetin e shërbimeve dhe numrin e konteinerëve në këto zona, si dhe të fillojnë t’i gjobisin ata që hedhin mbeturina në këto hapësira sepse një veprim i tillë është i dënueshëm edhe me ligje, por tanimë edhe me udhëzimin administrativ të gjobave”, ka thënë Hasanaj.

Ai shprehu shqetësimin për mospjesëmarrjen e banorëve në këto aksione pastrimi, të cilat po organizohen pranë zonave ku ata vetë jetojnë.

“Ajo që na shqetëson është mosveprimi i banorëve. Nëse kjo vetëdije vazhdon, nëse pjesëmarrja është e tillë atëherë dyshoj që Kosova do të jetë e pastër,” deklaroi Hasanaj.

Përveç aksionit në Prishtinë, sot u organizuan aksione pastrimi të deponive ilegale edhe në Istog e në Gjakovë.

Let’s Do It Kosova ju njofton se aktivitetet për pastrimin e deponive ilegale të mbeturinave dhe vetëdijesimin e qytetarëve për ruajtjen e mjedisit do të vazhdojnë edhe me tej, por në mënyrë që Fushata të ketë sukses, është e domosdoshme që aktiviteteve t’i bashkohen edhe qytetarët.