Arbëri

Termokosi faturoi njësoj qytetarët për 6 muaj përkundër dallimeve në shpenzime

Nga nëntori deri në mars, qytetarëve të kryeqytetit, që ngrohen nga Termokosi, u faturohet shuma përafërsisht e njëjtë çdo muaj.

Dallimi i vetëm është për shkak të numrit të ditëve, varësisht nga muaji, e jo për shkak të sasisë së energjisë së shpenzuar, raporton “038” i KTV-së.

Megjithëse janë të kënaqur me ngrohjen që u ofrohen, konsumatorët thonë se dallimi në pagesë duhet të bëhet në bazë të sasisë së energjisë termike që u ofrohet.

Aktualisht Termokosi ka marrëveshje për furnizim me energji termike nga KEK-u, ndërsa sasia që ata marrin varet nga kërkesa e tyre.

Sipas tabelës së shpenzimit të energjisë për këtë sezon, Termokosi, gjatë muajve dhjetor dhe janar, ka shpenzuar 248 mijë respektivisht 239 mijë euro për energji termike.

Ndërsa në muajt më të ngrohtë ka shpenzuar më pak: në nëntor 191 mijë euro, në shkurt 173 mijë euro, në mars 163 mijë euro, ndërsa në dy gjysmat e muajve, tetor e prill, nga afërsisht 65 mijë euro.

Dallimi mes muajit të plotë me më së shumti shpenzime dhe atij me më së paku shkon në 85 mijë euro.

 

E me gjithë shpenzimet më të vogla gjatë këtyre muajve, ky dallim nuk ka vlejtur për qytetarët, të cilët megjithëse janë ngrohur më pak e kanë paguar njëjtë.

Krejt, kjo pasi Termokosi aktualisht faturimin e bën në bazë të sipërfaqes për metër katror, e jo të sasisë së harxhuar të energjisë termike.

Kohavisioni ka kërkuar sqarime se pse qytetarët paguajnë njësoj si kur ngrohen me intensitet më të lartë gjatë muajve më të ftohtë, ashtu edhe gjatë muajve më të ngrohtë kur ngrohen me intensitet më të ulët.

Por në Termokos nuk kanë qenë të gatshëm të flasin para kamerës, e as nuk kanë dhënë sqarime se pse qytetarët detyrohen të paguajnë njëjtë kur shpenzojnë me pak.

Ndërsa nuk kanë pranuar se qytetarët janë dëmtuar me këtë formë faturimi.

Sqarime rreth kësaj çështjeje nuk ka dhënë as Zyra e Rregullatorit të Energjisë, e cila cakton çmimin.