Arbëri

Komuna e Prishtinës filloi ta funksionalizojë strategjinë për turizëm

Komuna e Prishtinës ka filluar ta funksionalizojë strategjinë për turizëm. Vizitorët që do të vijnë në Prishtinë do të orientohen më lehtë dhe do të mësojnë se cilat janë pikat kryesore turistike në Kosovë. Aktualisht komuna ka filluar me vendosjen e hartave turistike, pastaj kioskat, ndërsa deri në fund të vitit pritet që të angazhohen edhe informatorë.

Komuna e Prishtinës e ka vënë në fokus zhvillimin e turizmit në vend dhe po punon në gjetjen e mundësive për joshjen e vizitorëve të huaj. Përmes strategjisë që pritet të funksionalizohet së shpejti, do të krijohen kushte për një promovim më të denjë e informim sa më të mirë lidhur me vend ndodhjen dhe rëndësinë e pikave turistike në vend. Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Yll Rugova, tregoi për Radio Kosovës rreth planeve që ka komuna në këtë drejtim.

“Do të kemi disa harta dhe materiale për promovim turistik, po shpresojmë që do të kemi edhe një platformë për promovim turistik deri në fund të vitit. Do të kemi edhe informuesit në qytet, panelet informative për turizëm. Pra, në këtë aspekt edhe turizmi do të jetë shumë i nxitur deri në fund të vitit", tha ai.

Rugova tha se përmes funksionalizimit të strategjisë për turizëm do të vendosen hapat e zhvillimit turistik për pesë vitet e ardhshme.

“Deri në fund të këtij viti po shpresojmë ta funksionalizojmë edhe kioskën informative për turizëm dhe ta funksionalizojmë strategjinë e turizmit, që do t’i vendosë hapat për pesë vitet e ardhshme për veprim në turizëm", tha ai.

Turizmi është fushë thelbësore e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe shoqëror. Rreth 60% e gjithë vizitorëve që e vizitojnë Kosovën, së pari vijnë në Prishtinë, dhe me strategjinë e hartuar nga Komuna e Prishtinës vizitorët do ta kenë më të lehtë.