Arbëri

Prej ekonomisë së gjelbër, numri i të punësuarve pritet të arrijë në 5000

Hapet edicioni i tretë i Festivalit të Gjelbër në Prishtinë, me ç’rast ushtruesja e detyrës së zëvendësdrejtorit të Misionit të USAID-it, Christina Davies, ka thënë se tregon rëndësinë e energjisë së gjelbër dhe në shtimin e ekonomisë së Kosovës.

Ajo shtoi se duke parë potencialin në Kosovë, ky vend mundet që me ekonominë e gjelbër të ndikojë edhe në shtimin e numrit të të punësuarve.

Ministri i MZHE, Valdrin Lluka deklaroi se në bazë të strategjisë për energji e ripërtërishtme dhe energjia efiçiente, Qeveria ka ndarë 80 milionë euro për këtë sektor mjaft të rëndësishëm për ekonominë e Kosovës.

Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha theksoi se Kosova është e pasur shumë me burime natyrore, dhe dyfishimi i kompanive pjesëmarrëse krahasuar me vitin e kaluar është një indikator investime në sektorin e ekonomisë së gjelbër, e cila rritë ekonominë dhe rritë numrin e të punësuarve.

Ky festival organizohet çdo vit për t’i promovuar bizneset e gjelbra të Kosovës dhe për ta ngritur vetëdijen dhe interesimin për riciklim, energji të ripërtëritshme dhe efiçiencës të energjisë.

Vitin e kaluar 23 kompani pjesëmarrëse i kanë gjeneruar 1.3 milionë euro në shitje gjatë tri ditëve të kësaj ngjarje, ndërsa këtë vit me 41 biznese kosovare që do t’i prezantojnë produktet dhe shërbimet e tyre në Pavijonin e Gjelbër, pritet që të lidhen më shumë kontrata dhe marrëveshje për eksport. Deri më sot ky projekt i ka krijuar mbi 3200 vende të reja të punës më mbarë Kosovën, me plane për t’i krijuar gjithsej 5000 vende të reja të punës deri në korrik të vitit 2019. Edicioni i tretë i festivalit të gjelbër do të mbahet nga data 19 deri 21 shtator në sallë e sporteve “1 Tetori” në Prishtinë.