Arbëri

Çka (nuk) punoi komuna e Prishtinës këtë verë?

Vetëm monumenti në formë trekëndëshi, ka mbetur i pandryshuar në hapësirën e rinovuar të sheshit “Adem Jashari” në kryeqytet.

Kjo hapësirë, që për shumë vjet u cilësua si turpi i Prishtinës, ka marrë pamje të bukur, raporton “038” i KTV-së.

Rinovimi i tij është prej pak punëve të mëdha infrastrukturore që janë kryer brenda kryeqytetit këtë verë.

Pothuajse në të njëjtën kohë me sheshin, patën nisur edhe punimet në “Shkallët e Arbërisë”, por të cilat nuk kanë përfunduar ende.

Punimet e nisura më 21 mars, u tha se do të përfundojnë për 120 ditë pune.

Por, 170 ditë kalendarike pas - prej tyre 122 ditë pune – në Shkallët e Arbërisë, ende po punohet.

Nga e hëna, aty kanë filluar të vendosen pllakat e shkallëve.

Ndërsa, në Komunën e Prishtinës thonë kompania e kontraktuar është zotuar se do të përfundojë projektin deri në tetor.

“Do të përfundojë në muajin gusht”, ka qenë përgjigjja e komunarëve, kur gjatë korrikut ishin pyetur për zvarritjen e punimeve për asfaltimin e rrugës “Richard Holbrooke”.

Por rrugën në të cilën punimet kanë nisur në dhjetorin e vitit që shkoi, e zë edhe shtatori me baltë.

Vonesa të mëdha ka edhe në projektin për ri-ndërtimin e çerdhes “Yllkat”, objekti i ri i së cilës ishte premtuar se do të ishte i gatshëm në këtë muaj.

Se ky projekt është larg të bërit realitet e tregon fakti se në vendin ku dikur qëndronte godina e vjetër e çerdhes, ende nuk kanë filluar punët për ndërtimin e të resë.

Deri në përfundimin e punimeve, prindërit e afro 200 fëmijëve të “Yllkave” , do të vazhdojnë t’i dërgojnë fëmijët e tyre në ndonjërën prej 7 çerdheve në lagje të ndryshme, ku fëmijët e tyre janë ndarë në grupe.

Për shkak të punimeve që po zhvillohen, mësimin nuk e kanë nisur as nxënësit e shkollës “Elena Gjika”.

Zyrtarët komunalë thonë se shkolla do të jetë e gatshme në gjysmën e dytë të shtatorit, raporton “038”.

E për herë të parë, në shkollën të re, këtë javë mësimin e kanë nisur nxënësit e shkollës “Mehmet Gjevori” në lagjen “Arbëria”.

Megjithatë, edhe aty, ende nuk kanë filluar mësimin të gjitha klasat.

Këtë javë, ka nisur edhe rinovimi i shkollës së parë shqipe në kryeqytet.