Arbëri

Investimet në varrezat e Prishtinës peng i uzurpimeve të hapësirës

Përpara se të bëhen investimet e planifikuara në varrezat e qytetit, për rregullimin e rrethojave të hapësirës së dedikuar për to, Komuna e Prishtinës duhet të zgjidhë telashet me uzurpimin e pronave të varrezave.

Këtë e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” Habib Qorri nga drejtoria e Shërbimeve Publike të Komunës së Prishtinës, i cili ka thënë se Komuna ka paraparë edhe investimet kapitale në rregullimin e shtigjeve brenda varrezave, si dhe rrethimin e gjithë hapësirës, por paraprakisht duhet të merret me lirimin e hapësirave të uzurpuara të varrezave.

Qorri ka thënë se Prishtina është rast i rrallë, kur edhe hapësirat e varrezave uzurpohen, porse, sipas tij, kjo çështje duhet të zgjidhet deri në fillim të vitit të ardhshëm, në mënyrë që pastaj Komuna të vazhdojë investimet e tjera kapitale të planifikuara për varrezat e qytetit.

Sipas tij, rregullimi i shtigjeve është kompetencë e Drejtorisë për investime kapitale, ndërsa rrethojat dhe mirëmbajtja janë përgjegjësi e drejtorisë ku Qorri menaxhon punët.

Sipas tij, Prishtina ka hapësirë të mjaftueshme për varrezat dhe ajo vetëm duhet të pastrohet dhe të rregullohet për t’u liruar ende më shumë hapësirë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).