Arbëri

Të zhgënjyer me Komunën e Prishtinës janë prindërit që prisnin në shtator të kryhej çerdhja “Yllkat”

Gjashtë muaj e gjysmë pas marrjes së vendimit, ende nuk ka përfunduar rrënimi i objektit të vjetër të çerdhes “Yllkat”, në kryeqytet, për t’i hapur rrugë ndërtimit të objektit të ri.

Me arsyetimin se godina e vjetër paraqiste rrezik për shembje, Komuna e Prishtinës kishte vendosur që urgjentisht t’i largonte fëmijët dhe ta rrënonte atë, raporton KTV.

“Në shtator do të jetë gati objekti i ri....”, kishte thënë Jonuz Salihaj, Drejtor i Arsimit në Komunën e Prishtinës. Por ky zotim i drejtorit Salihaj duket larg realizimit.

Më 15 shkurt të këtij viti, në një mbledhje të jashtëzakonshme të thirrur me prindërit e fëmijëve të çerdhes “Yllkat” në kryeqytet, drejtori i Arsimit, Jonuz Salihaj, iu kishte premtuar atyre se brenda pak ditësh do të rrënohej objekti i vjetër i çerdhes e deri në shtator do të ndërtohej i riu. Por objekti i vjetër ende nuk është rrënuar tërësisht.

Këto vonesa kanë shkaktuar pakënaqësi te prindërit e më shumë se 200 fëmijëve, që janë të ndarë në grupe në shtatë çerdhe në lagje të ndryshme.

Të zhgënjyer, ata kanë humbur shpresat se projekti mund të realizohet këtë vit.

Të tjerë janë të shqetësuar nga dridhjet gjatë punimeve pranë banesave të Bllokut të Parë, të ndërtuar para 70 vjetësh.

Në Komunën e Prishtinës, përmes një përgjigjeje elektronike, kanë thënë se bashkë me Ministrinë e Arsimit, po i kryejnë punimet me procedurë të shpejtë.

“Përgjatë gërmimit, janë zbuluar edhe themelet e pishinës së vjetër që ka qenë në atë zonë, të cilat po largohen në mënyrë që të përshpejtohen punimet. Si Komunë e Prishtinës, jemi angazhuar me të gjitha kapacitetet tona që ky projekt të përfundojë sa më parë dhe fëmijët të kthehen në çerdhen e tyre”, ka thënë Adonis Tahiri, zëdhënës në Komunën e Prishtinës.

Zyrtarët komunalë nuk kanë dhënë ndonjë afat tjetër për ndërtimin e objektit të ri.