Arbëri

Nesër fillon viti i ri shkollor, Komuna e Prishtinës uron nxënësit

Të hënën, më 3 shtator, fillon viti i ri shkollor 2018/2019. Komuna e Prishtinës përmes një komunikate për media, thotë se janë angazhuar me të gjitha kapacitetet institucionale që të sigurohen kushte për fillimin e një viti të mbarë, në 73 institucione të niveleve të ndryshme shkollore, me 45400 fëmijë.

“Në shumicën e institucioneve shkollore janë bërë investime të mëdha për përgatitjen e infrastrukturës shkollore. Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) falënderon të gjithë donatorët që kanë ndarë mjete të shumta materiale për riparimin dhe modernizimin e shumë kopshteve dhe shkollave. Një falënderim i veçantë shkon për Organizatën TIKA e cila së bashku me fondet e siguruara nga Kryetari i Komunës, ka ndryshuar pamjen e brendshme të shkollës “Elena Gjika”; Zyrën Japoneze e cila ka bërë investime serioze në shkollën “Faik Konica”; por edhe shumë organizata tjera ndërkombëtare, me te cilat kemi nënshkruar marrëveshje mirëkuptime për investime në muajt dhe vitet e ardhshme. Fokusi jonë do te jetë në ndërtimin e kopshteve dhe shkollave të reja, për të cilat tani më janë siguruar investime milionëshe, dhe reformimin e shkollave profesionale, të cilat do të aftësohen për përgatitjen e kuadrove për tregun e punës. Në ketë plan jemi ne fazën e përgatitjes së projekteve për disa lëmenj të punës, si elektroteknika, turizmi dhe hoteleria, profileve të mjekësisë, ndërtimtarisë, agrobiznesit, e të tjera, me organizata të fuqishme gjermane, austriake dhe zviceran”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se në këtë mënyrë “ne po bëjmë hapa vendimtare rreth përgatitjes se terrenit për arsimin dual. Po punojmë me të gjitha kapacitetet për sigurimin e mekanizmave për ngritjen e cilësisë në arsim, duke i aftësuar mësimdhënësit për zbatimin e Kornizës Re Kurrikulare dhe në sferën e vlerësimit ku janë shënuar më së shumti ngecje. Kjo nuk mund të ndodhë pa sigurimin e materialeve adekuate shkollore sidomos teksteve shkollore, tek të cilat janë evidencuar probleme serioze me përmbajtjet e tyre. Si DKA, ju sigurojmë, se do të përfshihen të gjithë nxënësit në nivelin e arsimit të detyruar, duke mos i harruar në asnjë mënyrë fëmijët me nevoja të veçanta dhe grupet e diferencuara. Sfidë në vete për tërë sistemin arsimor të Kosovës, mbetet plan-programi i mbingarkuar për fëmijët e klasave të ulëta, plan-program ky që pason me çanta shumë të rënda për ta”.

“Urojmë të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për një vit të suksesshëm shkollor. Në veçanti, urojmë nxënësit e klasave të para, që nga nesër ulen për herë të parë në bankat shkollore”, thuhet në fund.