Arbëri

Nënshkruhen marrëveshjet për dy projekte në Prishtinë

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka ndarë 150 mijë euro për Komunën e Prishtinës në mbështetje të dy projekteve, atë të ndërtimit të ujësjellësit në fshatin Rimanishtë dhe ndërtimin e deponisë së materialeve të ngurta në kryeqytet.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi dhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli, gjatë takimit të sotëm kanë nënshkruar këto dy marrëveshje bashkëpunimi.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Matoshi tha se MMPH-ja do të angazhohet fuqishëm në realizimin e projekteve me komunat e Kosovës, përfshirë këtu edhe Prishtinën.

“Nënshkruam marrëveshje për bashkëfinancim të dy projekteve ‘Ndërtimi i ujësjellësit në fshatin Rimanishtë’ në vlerë prej 100 mijë euro si dhe ‘Ndërtimi i deponisë së materialeve të ngurta në Prishtinë’ , i cili ka vlerën 50 mijë euro në vitin fiskal 2018. Si MMPH po mbështesim komuna dhe regjione të caktuara që të krijojmë kushte për të vazhduar me punët serioze me deponitë e mbetjeve të ngurta”, tha Matoshi.

Ndërsa nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Selim Pacolli tha se nënshkrimi i dy memorandumeve, është vazhdimësi e bashkëpunimit mes MMPH-së dhe qeverisjes së kryeqytetit.

“ Kjo është një vazhdimësi e bashkëpunimit të Komunës së Prishtinës me MMPH-në, në mbështetje të projekteve të ndryshme. Besoj që nuk do jenë projektet e fundit dhe ne do të bashkëpunojmë në këtë mënyrë që tu ofrojmë kushte më të mira banorëve tanë”, tha Pacolli.

Gjatë këtij takimi, u.d ministri Matoshi dhe nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Pacolli diskutuan edhe për Task Forcën për Cilësinë e Ajrit në Prishtinë dhe Task Forcën “ Ta pastrojmë Kosovën”, aksion ky i cili fillon më 15 shtator.