Arbëri

Kryeziu është larguar nga NPB-ja

Descriptive Text

Nexhat Kryeziu ka njoftuar se është dorëhequr nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore, edhe pse tashmë i kishte skaduar mandati dhe në vend të tij ishte emëruar ushtrues detyre, Hajdar Hoxha.

Në një postim në Facebook, Kryeziu ka thënë se nga data 31 gusht 2018 ai nuk është më kryeshef i NPB-së dhe se karrierën do ta vazhdojë jashtë sektorit publik.

“Përmes këtij postimi iu njoftoj se javën që shkoj kam njoftuar organet kompetente të NPB-së mbi dorëheqjen time nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të NPB-së dhe se kjo me datë efektive 31 gusht 2018. Pas një periudhe bukur të gjatë angazhimi në sektorin publik dhe atë mbi 15 vite tanimë, karrierën time profesionale në sektorin privat dhe se do të pushoj të qenit pjesë e sektorit publik dhe jetës publike”, ka shkruar ai.

NPB-ja dhe pozita e kryeshefit ka sjell diskutime të ashpra në Kuvendin Komunal të Prishtinës mes Vetëvendosjes dhe Partisë Socialdemokrate.

Në postimin e tij, Kryeziu ka thënë se është krenar për sukseset e NPB-së në drejtim e tij.

Këtu ai ka renditur:

# Dukshëm janë përmirësuar proceset operative dhe avancuar kontrollet e brendshme në organizatë, është siguruar mbarëvajtje dhe kontroll në administratë dhe në arkivimin e dokumentacionit duke iu përshtatur Ligjit për arkivat shtetërore në Kosovë ku NPB është ndër institucionet e pakta publike që aplikon plotësisht ligjin në fjalë;

# Për herë të parë kemi arritur që të kemi opinion të pa rezervë nga Auditori i Jashtëm mbi Pasqyrat Financiare të NPB-së për vitin 2017 dhe kjo si rezultat i konsolidimit të ndërmarrjes dhe besueshmërish së të dhënave financiare ku i ka paraprirë shtimi i numrit të softuerëve që siguruan të dhëna të sakta dhe kredibile, siç janë sistemi i raportimit financiar, kontabilitetit, menaxhimit të stoqeve dhe depos dhe ai i resurseve njerëzore;

# Është siguruar transparencë për publikun përmes komunikimit me media dhe publikimin e vendimeve dhe qëndrimeve të NPB-së fillimisht përmes sigurimit të ueb faqes, mandej edhe funksionalizimin dhe konsolidimin e Zyrës për Marrëdhënie me publikun si dhe publikimin e lajmeve dhe komunikatave të NPB-së në ueb, faqes zyrtare të fb dhe bashkëpunimin shumë të afërt me media;

# Është siguruar një proces prokurimi transparent, përfshirë edhe implementimin e e-prokurimit me realizmin e projekteve me kohë dhe me ankesa minimale nga operatorët apo edhe palët tjera të jashtme;

# Për herë të parë është siguruar buxhet 500 mijë euro për realizimin e projektit të renovimit total të hyrjeve të banesave me bashkëpronësi, ku ekipet e mirëmbajtjes së NPB kanë rinovuar më se 50 hyrje kolektive të rindërtuara kryesisht në ndërtesa të vjetra duke përfituar kështu rreth 6000 banorë të kryeqytetit;

# Të hyrat financiare janë rritur dyfish, ndërsa fitimi operativ është rritur dukshëm përkundër shtimit të kapaciteteve në staf;

# Performanca në rritjen e inkasimit të qirasë respektivisht inkasimi i llogarive të (vjetra) të arketueshme është rritur dukshëm, përfshirë edhe eliminimin e dukurive negative në këtë fushë, ndërsa janë ndihmuar zejtarët dhe shoqatat tjera joqeveritare që merren me aktivitete bamirëse;

# Është ri-kthyer nën menaxhimin e NPB-së pronë në vlerë mbi 3 milion euro dhe janë larguar shfrytëzues të paligjshme nga prona e NPB-së sipas vendimeve gjyqësore të plotfuqishme dhe të përmbarueshëm si dhe është rivlerësuar pasuria e NPB-së ku vlera reale e tregut mbërrin në mbi 170 milion euro;

# Janë krijuar kushte optimale të punës për të punësuarit, janë punësuar persona me nevoja të veçanta si dhe është zvogëluar mosha mesatare e të punësuarve që në fillim të vitit 2015 ishte me moshën 50 vjeçare, tani mosha mesatare është 42 vite;

# Në drejtim të mbrojtjes juridike të NPB-së, përmes proceseve gjyqësore, kemi kthyer mjete të shumta nga paditë për qira, furnitorëve, kontraktorëve, qiramarrësve dhe palëve tjera, ndërsa nuk është humbur ndonjë lëndë që do ta rrezikonte financiarisht ndërmarrjen, etj.

Në fund, dua të theksoj se udhëheqja me ndërmarrjen, gjithnjë duke vlerësuar rrethanat aktuale, ka qenë sfidë shumë e madhe, ku nga një pjesë e individëve nuk janë vlerësuar sukseset, mirëpo përkundrazi janë ekzagjeruar ato qofshin të brendshme apo të jashtme. Konsideroj që ndryshimet sjellin progres dhe se edhe për organizatën këto ndryshime janë të shëndetshme. Shpresoj dhe uroj që NPB do të vazhdoj me performancë edhe më të mirë tani e tutje dhe të avancoj në projekte tjera të reja ku do të rritej gama dhe kualiteti i shërbimeve ndaj qytetarëve, të krijohet punësim i ri dhe gjithashtu të sigurohet mirëqenie për të punësuarit.