Arbëri

Ndërmarrja publike “Sport Marketing”, në prag të falimentimit

Pishina e Gërmisë po kalon ditë të këqija këtë sezon. Moti që ka mbizotëruar në vendin tonë gjatë kësaj vere, ka bërë që 22 ditë të kësaj sezone të mos punohet fare. Numri i vizitorëve është dukshëm më i ulët sesa gjatë viteve tjera.

Kjo pishinë është nën menaxhim të Ndërmarrjes publike të Komunës së Prishtinës “Sport Marketing”, raporton KTV.

Emrush Hyseni, ushtrues i detyrës së kryeshefit ekzekutiv në këtë ndërmarrje, po i frikësohet falimentimit. Ai ka bërë të ditur se 50 punëtorë të ndërmarrjes do të mbesin pa paga këtë muaj.

Për kalimin e kësaj gjendjeje i është kërkuar ndihmë komunës, por deri tani nuk është marrë ndonjë përgjigje.

Aksionare e emëruar nga komuna është Adelina Fazliji e AKR-së, e cila edhe pse ka premtuar gjatë të premtes, nuk i ka dhënë asnjë përgjigje KTV-së për atë nëse komuna ka plan për ta shpëtuar ndërmarrjen.

Ndërmarrja “Sport Marketing” përballet me probleme financiare tash e disa vite. Madje, drejtues të saj në të kaluarën e kanë akuzuar kryetarin Shpend Ahmeti se i ka dëmtuar financiarisht, duke ua ndaluar nxënësve ta vizitojnë hotelin e ndërmarrjes në Brezovicë.