Arbëri

Ngec prej 3 vjetësh auditimi i brendshëm në Komunën e Prishtinës

Komuna e Prishtinës për të tretin vit me radhë nuk ka funksionalizuar tërësisht, ashtu siç e përcaktojnë normat ligjore, Njësinë e Auditimit të Brendshëm (NJAB) si dhe Komitetin për Auditim të Brendshëm, ndonëse për këtë vazhdimisht kishte marrë vërejtje edhe nga auditori i jashtëm.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i ka thënë “Kohën Ditore” se rekomandimet për këtë çështje më nuk do të përsëriten, sepse tashmë të dy këta mekanizma janë rregulluar dhe po kryejnë punën e tyre.

këto deklarime janë përgënjeshtruar nga përfaqësues të opozitës në Komunë, duke thënë se Auditori i brendshëm nuk është duke kryer punën e vet prej vitesh dhe po e njëjta situatë ka vazhduar edhe sivjet, kurse Komiteti i Auditimit nuk e ka mbajtur ende asnjë takim të vetëm gjatë këtij viti.

“Me gjithë rekomandimete dhëna dhe zotimit të menaxhmentit për funksionalizimin e NJAB-së, kjo njësi pothuajse është jo funksionale edhe gjatë vitit 2017. Ata gjatë gjithë vitit kishin finalizuar vetëm një raport të auditivit, lidhur me procesin e menaxhimit te të hyrave në bibliotekën ‘Hivzi Sylejmani’, si dhe 3 auditime ishin në proces, të cilat kishin nisur me kërkesë të menaxhmentit. Auditimet në proces kishin të njëjtin fokus dhe kishin të bënin me teatrin ‘Dodona’, ‘Arkivin Komunal’ dhe me ‘Qendrën Kulturore të Fëmijëve të Komunës së Prishtinës’”, ka tërhequr vërejtjen Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, në raportin për Komunën të publikuar para pak kohe. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)