Rinovimi i njërës prej shkollave më të vjetra të Prishtinës është afër finalizimit

17 gusht 2018 20:39

Një rinovim rrënjësor po bëhet në njërin nga objektet më të vjetra shkollore në kryeqytet.

Shkolla “Elena Gjika” po rinovohet nga data 23 korrik, nga komuna e Prishtinës në bashkëpunim me agjencinë turke TIKA.

Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, shpreson që rinovimi të kryhet shpejt, ngase fillimi i vitit shkollor është afër, raporton KTV.

Ahmeti ka paralajmëruar bashkëpunime të tjera me agjencinë shtetërore turke, ku përfshihen edhe punimet në xhaminë e çarshisë dhe në Hamamin e Prishtinës.

Hasan Burak Ceran nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, ka thënë se TIKA do të vazhdojë bashkëpunimin me Komunën e Prishtinës. Cerani paralajmëroi ndërtimin e një qendre të autizmit dhe Sindromës Down në Prishtinë.

Shkolla “Elena Gjika” është një nga objektet e trashëgimisë kulturore, andaj është vendosur që t’i ruhet fasada.

Në tërësi pritet të rinovohen 18 klasë të shkollës fillore, dhe 3 të parashkollorëve, kurse në 10 klasat e tjera që janë rinovuar para pak vjetësh, do të intervenohet vetëm në pjesët e dëmtuara.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme