Arbëri

MMPH-ja premton përkrahje për Prishtinën në disa projekte

Ushtruesi i detyrës së Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi është pritur sot në takim nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, së bashku me nënkryetarin, Selim Pacolli dhe drejtorë të Komunës së Prishtinës.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në takim u diskutua rreth bashkëpunimit mes dy institucioneve në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, me theks të veçantë në realizimin e projekteve, trajtimin e ujërave të zeza, reduktimin e ndotjes së ajrit, krijimin e zonave të gjelbëruara, krijimin e hartës zonale të kryeqytetit etj.

Matoshi prezantoi projektet në fushën e ujërave dhe mbeturinave të cilat këtë vit MMPH po realizon në kryeqytet si dhe shfaqi vullnetin e tij dhe ministrisë që drejton për të mbështetur komunën e Prishtinës me projekte edhe për vitin 2019.

Me këtë rast ai theksoi se kryeqyteti meriton një trajtim dinjitoz për përmirësimin e gjendjes së mjedisit, menaxhimin e duhur të mbeturinave, reduktimin e ndotjes së ajrit, trajtimin e ujërave të zeza si dhe krijimin e një planifikimi të duhur hapësinor.

Ahmeti kërkoi që kjo përkrahje të vazhdojë, me qëllim që bashkërisht të përmirësojnë gjendjen e mjedisit në kryeqytet.

Ahmeti kërkoi po ashtu që të fillojnë sa ma shpejtë procedurat për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza si dhe paralelisht më këtë proces të ndërtohen dhe kolektorët që do të lidhen me këtë impiant.

Në fund Matoshi e Ahmeti u dakorduan që javën e ardhshme të nënshkruajnë 3 memorandume të bashkëpunimit, një për pagesën e borxhit të shpronësimeve që ka Ministria ndaj komunës dhe dy memorandume për realizimin e projekteve në fushën e mjedisit.