Arbëri

Nga shtatori Prishtina edhe me një shkollë moderne

Descriptive Text

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti bashkë me nënkryetarin, Selim Pacolli, drejtorin e Arsimit Jonuz Salihaj dhe disa asamblistë vizituan sot përfundimin e punimeve në objektin e shkollës fillore dhe të mesme të ulët në lagjen “Arbëria”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Shkolla që do të mbajë emrin “Mehmet Gjevori” në përbërje ka gjithsej 12 dhoma mësimi , prej të cilave 2 dhoma mësimi për nivelin e arsimit parafillor, 10 dhoma mësimi për nivelin e arsimit fillor dhe të mesëm të ulët dhe 4 dhoma për kabinete, kuzhinën dhe hapësirat të tjera përcjellëse sipas kërkesave dhe standardeve bashkëkohore”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.

Drejtoria e Arsimit pas analizës dhe vlerësimit të përgjithshëm mbi demografinë e popullsisë në lagjet apo zonimin ku shtrihen shkollat fillore, si: SHFMU “Meto Bajraktari”, SHFMU “Qamil Batalli” dhe SHFMU “Faik Konica”, konstatoi se numri i nxënësve në këto shkolla është i madh nëpër paralele prandaj rreth 17 paralele nga viti i ri shkollor 2018/19, do të transferohen në shkollën e re në lagjen “Arbëria”.

Për të siguruar një transferim të lehtë i gjithë ky proces do të realizohet në koordinim të plotë me drejtuesit e shkollave dhe organet e brendshme të shkollës.

Poashtu, javën e ardhshme do të bëhet edhe prezantimi i draft projekteve konceptuale i pesë objekteve shkollore që do të ndërtohen me programin PFI në bashkëpunim me Bankën Botërore.