Arbëri

VV: Qëllimi i Shpend Ahmetit është pasurimi dhe zaptimi i Komunës bashkë me PDK-në

Duke u bërë bashkë me PDK-në, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti inauguroi zaptimin e Komunës. Kështu kanë deklaruar asamblistë të Lëvizjes Vetëvendosje sot, ku sipas tyre ky zaptim bëhet i mundshëm duke e larguar Vetëvendosjen.

Shefja e Asamblistëve të VV-së në Prishtinë, Leonora Bajraktari, tha se komunat e kanë për obligim që të miratojnë KASH-in, që është një ndër dokumentet më strategjike të komunës, raporton KsP.

Sipas saj, Ahmeti jo vetëm që është vonuar në këtë aspekt, porse kur është pyetur për këtë ka treguar arrogancë si kurrë më parë.

Bajraktari kujtoi se si i pari i kryeqytetit është sjellë me arrogancë ndaj asamblistit të VV-së, duke i thënë “mshele gojën”.

“Kjo e tregon më së miri se qëllimi i tyre është të pasurohen, por jo të punojnë në të mirë të qytetarëve të Prishtinës. Shtrohet pyetja, çka i ka dhënë nga qyteti i Prishtinës Shpend Ahmeti PDK-së për t’ia marrë votën me 6 dhe 8 gusht”, tha ajo.

Asamblisti Besnik Mujeci tha se ndjehen të indinjuar me veprimet e fundit të Ahmetit. Ndërsa kolegu i tij, Eman Rrahmani, bëri të ditur se ditëve në vijim do të bëjnë publikë hapat që do të ndërmarrin.