Arbëri

“ARTivizmi edukativ” me programe për mos braktisjen e shkollave

Rreth 100 fëmijë të kampit veror “ARTivizmi edukativ” po i përfundojnë përgatitjet për programin artistik që kanë përgatitur gjatë pesë ditëve, sa kanë qenë pjesë e këtij kampi.

Nën organizimin e ETEA-s, përgjatë këtij kampi janë mbajtur pesë punëtori në pikturë, letërsi, aktrim, aktivizëm dhe avokim.

Mesazhet dhe puna e së cilave do të shfaqet nesër gjatë një programi artistik.

Agon Ahmeti, drejtor i organizatës “ETEA” ka treguar për Kosovapress se fëmijët janë përzgjedhur në bashkëpunim me SOS Fshatin, Qendrën për Punë Sociale dhe disa shkolla të Prishtinës. Ai ka thënë se i kanë vendosur fëmijët në rolin e aktivistëve, në mënyrë që ata ta promovojnë rëndësinë e shkollës dhe mos ta braktisin.

“Kampi veror ‘ARTivizmi edukativ’ që po organizohet prej ETEA-s me përkrahje të ‘Terre des Hommes’ dhe disa institucioneve tjera siç janë Qendra për Punë Sociale, SOS Fshatrat e Fëmijëve, Termokiss-i e kështu me radhë, ka për qëllim targetimin e fëmijëve të familjeve që janë kategori ma të ndjeshme sociale dhe bashkërisht promovimin e rëndësisë së arsimit, leximit, të drejtave të fëmijëve, rrjedhimisht mosbrakstisjes së shkollës, meqenëse te këto kategori është më e dukshme, ky fenomen, pra braktisja e shkollës është evident”, ka thënë Ahmeti.

Ai tha se nëse gjejnë përkrahje, do të organizojnë kampe të tilla edhe në qytetet tjera të Kosovës.

Kurse Erza Kurti, nga kjo OJQ ka treguar për KosovaPress detaje të programit të nesërm dhe ka thënë se do të ketë pika artistike të ndryshme, në mënyrë që secili fëmijë ta shprehë talentin e tij.

“Nesër me fillim në ora tre këtu në ‘Termokiss’ do të mbahet programi artistik që e kanë përgatitur fëmijët. Do të ketë disa pika artistike që kemi punu gjatë këtyre ditëve në kamp, për shkak se ne jemi ndarë në disa punëtori dhe në bazë të atyre punëtorive e kemi ba edhe prorgamin artistik. Ka me u mbajt një ekspozitë e cila përmban disa piktura të fëmijëve të grupit të pikturës të cilat kanë tematika për librin dhe shkollën, pastaj kemi fotografitë gjatë kampit kemi edhe disa stiker-rolls që fëmijët kanë treguar kur iu kanë shkelur të drejtat e tyre, këto mbahen në ekspozitë, ndërsa gjatë programit do të ketë një dramë, poezi, këndime, vallëzim të baletit, vallëzim modern, kështu të thjeshtë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se ky kamp mban emrin “Artivizmi edukativ” për shkak se synojnë aktivizmin përmes artit, pra përmes artit të promovojnë rëndësinë e shkollës.