Arbëri

“Pallati i rinisë” pret veç nënshkrimet e Ahmetit dhe Haradinajt për t’iu kthyer Prishtinës

Në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash, miratoi propozimin e Qeverisë që të kalojë pronësinë e “Pallatit të Rinisë” nga Agjencia Kosovare e Privatizimit te Komuna e Prishtinës.

Megjithatë, katër muaj pas, kjo ndërmarrje ende nuk është në dorën e komunës, raporton “038” në KTV.

I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti, nuk ka dashur të flasë me arsyetimin se brenda pak ditësh, do të ketë risi në këtë çështje.

Në AKP, e cila ka menaxhuar me ndërmarrjen për një dekadë, thonë se gjithçka është gati për të bërë transferimin e “Pallati i Rinisë dhe të Sporteve” te qeverisja lokale në Prishtinë.

“AKP-ja ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura për të formalizuar këtë transfer. Bordi i Drejtorëve të AKP-së e ka miratuar marrëveshjen trepalëshe (AKP - Komunë - Qeveri) për pranim-dorëzim, ndërsa menaxhmenti i AKP-së në ndërkohë, ka përgatitur të gjitha procedurat, përfshirë këtu anekset përkatëse që mundësojnë pranim-dorëzimin formal. Jemi në pritje të një konfirmimi nga Komuna dhe Qeveria se kur janë të gatshëm për të nënshkruar edhe marrëveshjen formalisht”, ka thënë Ylli Kaloshi, zëdhënës në AKP.

Kompletimi i ndërrimit të pronarit të pallatit ikonë të kryeqytetit, sipas Qeverisë, tashmë është vetëm çështje ditësh.

“Së fundi është pritur aprovimi edhe nga ana e bordit te AKP-së, pasi që kështu e kërkojnë procedurat dhe kjo marrëveshje është aprovuar në mbledhjen e fundit të bordit përkatës që është mbajtur në fund të muajit qershor 2018. Drafti i marrëveshjes për pranim-dorëzim në mes të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës tashmë është përpiluar dhe të gjitha palët janë dakorduar me këtë dokument... Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të ndodhë shumë shpejt, është çështje ditësh”, ka thënë Donjeta Gashi zëdhënëse në Qeverinë e Kosovës.

Pak pas përfundimit të luftës, ishte djegur kulmi i sallës kryesore e sportit, e nga atëherë, kanë munguar investimet në pallat.

Nga 1 tetori i 2008-s, “Pallati i Rinisë” është nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.