Arbëri

Dezinsektimi në Prishtinë në mëshirë të motit

Ndalja e të reshurave dhe ngritja e temperaturave i ka dhënë fund pritjes për nisjen e fazës së tretë të dezinsektimit, në kryeqytet dhe fshatrat përreth.

Pasditen e vonë të së mërkurës, në Parkun e Qytetit ka nisur spërkatja kundër insekteve fluturuese, raporton “038” i KTV-së.

Për afro një javë sa pritet të zgjasë kjo fazë, sipas menaxherit të projektit, Nexhmedin Hoti, synohet eliminimi i 70% të mushkonjave.

Epidemiologu Hoti, ka përsëritur se preparati nuk është i dëmshëm për njerëzit, përveç disa rasteve të veçanta.

Megjithatë, ai ka këshilluar bletarët për kujdes gjatë periudhës së dezinfektimit.

Megjithëse ka pasur qytetarë largoheshin nga hapësira ku bëhej spërkatja, ata e kanë mirëpritur atë.

Por, jo të gjithë kanë qenë të informuar se preparati spërkatës nuk është i dëmshëm.

Këtë vit, spërkatja kundër insekteve pickuese, në kryeqytet dhe disa fshatra përreth, do të bëhet në gjashtë faza – me fazën e fundit, gjatë muajve gusht-shtator.