Arbëri

“Termokosi” merr nga Luksemburgu 2.3 milionë euro për zgjerim të ngrohjes

2 milionë e 300 mijë euro i janë shtuar fondit për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të Termokosit, në kryeqytet.

Qeveria e Luksemburgut ka zyrtarizuar dhënien e këtij granti me një marrëveshje të përbashkët me Bankën Gjermane për Zhvillim, Qeverinë e Kosovës dhe Termokosin, raporton KTV.

Pasi ka falënderuar taksapaguesit e Luksemburgut, ministri i Financave, ka folur për rëndësinë e vazhdimit të projektit të kogjenerimit.

Furnizimin e pandërprerë - 24 orësh me ngrohje – e ka quajtur rezultat mbresëlënës të kogjenerimit, përfaqësuesja diplomatike e Luksemburgut në Prishtinë.

“Projekti do të jetë në funksion të rehabilitimit të mëtejmë të rrjetit dhe të zgjerimit të ngrohjes. Konsumatorët e rinj do të lidhen me rrjet në përputhje me masterplanin e ngrohtores, i cili është realizuar në vitin 2017. Ky plan siguron që përzgjedhja e konsumatorëve të jetë transparente për të gjithë dhe të gjitha investimet do të bëhen në bazë të efiçiencës së kostos, në mënyrë që të jenë në përputhje me përpjekjet që po bëhen për të reduktuar lirimin e dyoksid-karbonit në atmosferë”, ka thënë Anne Doster, përfaqësuese nga Ambasada e Luksemburgut.

Edhe i pari i ngrohtores së qytetit, Naser Canolli, ka falënderuar Luksemburgun për këtë ndihmë.

Ai ka njoftuar se brenda pak javësh, do të fillohet me rehabilitimin e rrjetit, ndërsa ka shtuar se pret që në pranverën e vitit tjetër, të nisë zgjerimi i rrjetit.

Në mars të këtij viti, Qeveria Gjermane kishte dhuruar edhe 10 milionë euro të tjera për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes në Prishtinë.