Arbëri

Mbyllen hetimet për Shpend Ahmetin

Prokuroria Speciale e Kosovës i ka mbyllur hetimet ndaj kreut të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe zyrtarëve të tjerë komunalë, të cilët një vit më parë ishin paditur nga Dega e PDK-së në Prishtinë për krim të organizuar dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KTV.

Prokuroria thotë se nuk gjeti prova të mjaftueshme se Ahmeti dhe zyrtarët e tjerë komunalë i kishin kryer këto vepra penale. E, në PDK thonë të mos jenë informuar për mbylljen e këtyre hetimeve.

Në shtator të vitit të kaluar , PDK-ja në Prishtinë kishte marrë një vendim që të padiste kryetarin aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe disa zyrtarëve të tjerë të komunës me dyshimet për krim të organizuar.

Sipas këtij kallëzimi, Ahmeti dhe zyrtarët e tjerë të komunës në bazë të preferencave partiake u kishin lëshuar leje ndërtimore militantëve partiak dhe grupeve të interesit të afërta me zyrtarë të Vetëvendosjes.

Kallëzimi gjithashtu thoshte se me marrëveshje të dyshuarit u kishin mohuar lejet e ndërtimit qytetarëve të Prishtinës në kushte të barabarta derisa a militantëve të partisë u ishte lejuar leja e ndërtimit në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim.

Por gati 10 muaj më vonë Prokuroria Speciale e Kosovës ka marrë vendim që t’i mbyllë hetimet për këtë rast.

Mungesa e provave, sipas prokurorit special, Sylë Hoxha, ka bërë që të mbyllet ky rast.

KTV-ja ka kontaktuar me sekretarin e PDK në Prishtinë, Bujar Cakolli, i cili e kishte dorëzuar në Prokurori këtë kallëzim penal vitin e kaluar. Cakolli shkurt ka thënë se nuk është dijeni se janë mbyllur hetimet për këtë rast andaj nuk mund të flas për këtë çështje.

KTV-ja ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga ana e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, por ai nuk e ka hapur telefonin.