Arbëri

Komuna akuzon asamblistin e VV-së se kërcënoi zyrtaren e komunës

Komuna e Prishtinës ka thënë se asamblisti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, sot ka kërcënuar bashkë me një grup të qytetarëve zyrtaren e Drejtorisë për Investime Kapitale dhe Menaxhim të Kontratave.

Sipas njoftimit nga komuna, Rrahmani kishte dërguar kërkesë për takim në e-mail të drejtorisë, lidhur me rregullimin e rrugës “Elena Gjika” në Kodrën e Trimave.

Po ashtu ka publikuar e-mailin, që thotë se ishte përgjigjja nga Zeneli.

“Të nderuar, banorët e kësaj rruge janë të mirë se ardhur, Ne do t'i mirëpresim në ora 10 dhe do t'iu shpjegomë se si qëndron çështja dhe nëse kemi mundësi më ndihmën e tyre me dëshirë do të bëjmë zgjidhje, për ndërtimin e kësaj rruge. Rruga Elena Gjika në Kodrën e Trimave është pjesë e kontratës, Rregullimi i rrugëve "Reshat Maliqi", "27 Nentori" dhe te trafoja si dhe rregullimi i infrastrukturës në rrugët "Aziz Kelmendi", "Malush Kosova" dhe Elena Gjika" me Nr. 616 17 095 521 të dt. 24.10.2017. Operator Ekonomik është Kema Kompani. Në këtë rrugë është planifikuar komplet rregullimi i infrastrukturës , por punimet akoma nuk kanë filluar për shkak se gjysma e rrugës është pronë private. Pa bisedime dhe marrëveshje paraprake me pronarin, na e pa mundëson fillimin e punimeve Pronar i parcelës është Parc.nr.790-35 Sabit Vllasaliu sip=7309m2."

Sipas njoftimit të komunës, sot Rrahmani bashkë me një grup prej 30 vetash kishin bllokuar në zyrë këtë zyrtare dhe e kanë terrorizuar e kërcënuar atë. “Madje, disa prej shoqëruesve të tij kanë hipur mbi tavolina të zyrës, dhe e kanë ofenduar zyrtaren komunale në vazhdimësi”, thuhet në njoftim.

Komuna e Prishtinës thotë se ka hapur rast në Policinë e Kosovës, dhe ka kërkuar nga ta “që t’i ndërmarrin të gjitha masat e duhura dhe t’i nxjerrin para drejtësisë kërcënuesit”.

“Bashkë me Sigurimin e Komunës dhe Policinë e Kosovës, do të mundësojmë zhvillim normal të punës brenda zyrave komunale, dhe nuk do të lejojmë përsëritjen e rasteve të tilla”, thuhet në reagimin e Komunës së Prishtinës.

Pak para këtij reagimi të komunës, asamblisti Rrahmani në Facebook kishte thënë se kryetari i komunës, Shpend Ahmeti, nuk i kishte lejuar hyrjen në kabinetin e tij.