Arbëri

Banorët e lagjes “Qëndresa” në hall nga vërshimet, kërkojnë investime nga Komuna e Prishtinës

Vërshimet si këto të së shtunës së kaluar janë të shpeshta për banorët e rrugës “Rilindja” dhe rrugicave përreth saj, në lagjen Qëndresa në kryeqytet.

Mungesa e një rrjeti të veçantë për ujërat atmosferikë po shkakton probleme edhe brenda shtëpive e bizneseve, raporton emisioni 038 në KTV.

Ngarkimi i rrjetit të kanalizimit të ujërave të zeza – në raste të tilla – shpesh bën që ai t’i kthejë ujërat brenda shtëpive.

Banorët e fajësojnë Komunën e Prishtinës për mosinvestime në këtë lagje, përkundër shumëfishimit të pagesës së tatimit në pronë.

Artan Krasniqi, Banor i lagjes “Qëndresa”, thotë se vërshimet e shpeshta i kanë shkaktuar dëme në inventar, në katin përdhese të shtëpisë.

Nga shiu i javës që shkoi pësuan edhe një furrë buke dhe biznese të tjera në lagje, pronarët e të cilave kërkojnë hapjen e gypave nga ujësjellësi dhe investime nga komuna.

Në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” thonë se kanë intervenuar disa herë në këtë pjesë por problemi qëndron te përzierja e ujërave të zeza me ata atmosferikë – për ndarjen e të cilëve duhet të investojë komuna, transmeton koha.net.

Në Komunën e Prishtinës pohojnë se problemi qëndron te ndërtimi i shpejtë i lagjes në të kaluarën – një pjesë e së cilës është bërë pa leje.

Sipas drejtorit të Investimeve Kapitale, Gëzim Mehmeti, komuna do të shohë mundësitë buxhetore për investime në rrjetin e ujërave atmosferikë dhe atyre të zeza.