Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Albin Kurti bën thirrje të votohen kandidatët e Vetëvendosjes

Descriptive Text

Prishtinë, 10 tetor - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një video adresimi për qytetarët, ka bërë thirrje që të votohen kandidatët për kryetarë komunash nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Kurti ka akuzuar partitë kundërshtare për porositje të sondazheve të rrejshme.

“Çdonjëri nga ne do të zgjedhë mes dy alternativave, atyre që duan punë me nder dhe me thjeshtësi, dhe atyre që duan të fitojnë me reklama në media e me sondazhe të ujdisura. Në të gjitha komunat udhëkryqi është i tillë, nga njëra anë kandidatët e Vetëvendosjes, me zgjidhje optimale për problemet reale, nga ana tjetër ata që paguajnë me milionat e vjedhura deri dje për video e marketing sot me shpresën që nesër të zhvatin përsëri”, ka deklaruar Kurti.

Kryetari aktual i Prizrenit, njëherësh kandidat për një tjetër mandat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka, është zotuar për investime në turizëm, të cilat, sipas tij, do të ndikojnë në ruajtje të ambientit por edhe në shtim të vendeve të punës.
“Turizmin e kemi prioritet dhe do ta kemi gjithmonë, sepse, siç thashë, turizmi përveç mbrojtjes së natyrës krijon edhe vende pune. Në atë aspekt, do të vazhdojmë këtu sepse kemi nevojë me e mbrojt vlerën e natyrës që e kemi si Prizren dhe Kosovë, në të njëjtën kohë edhe për t’i punësuar të rinjtë... Në mandatin e ardhshëm ne do të punojmë pak më shumë edhe në promovimin e Prizrenit si qendër tregtare”, ka deklaruar Haskuka.
Kreu i Prizrenit tha se tashmë është rregulluar hapësira rekreative për qytetarët e kësaj ane. Ai përmendi edhe shtëpinë malore dhe hapësirat e rregulluara në Kopanavoda, siç njihet gjerësisht në Prizren

“Shtëpia malore në Kopanavodë është vendi ku tradicionalisht bjeshkatarët e Prizrenit kanë organizuar aktivitete e ecje në natyrë. Është një pjesë shumë e bukur e Bjeshkëve të Sharrit. Sot kemi pasur aktivitetin që kemi përuruar rregullimin e vendpikniqeve për qytetarë, ulëset, tavolinat, skarat e kontrolluara që të mos ketë raste të zjarrit. E kemi rregulluar që veturat të mos hyjnë në këtë pjesë”, ka thënë ai.

E Shpejtim Bulliqi në Podujevë ka thënë se ka bërë punë modeste për gati një vit sa ka qeverisur me komunën.

“Unë besoj shumë që kemi bërë punë modeste për këta muaj që i kemi pasur. Sot ballëhapur dhe kokën lart po e mbajmë, kemi ardhur t’ju lusim që më 17 tetor të dilni në zgjedhje të gjithë, mos e leni asnjë votë te shtëpia, se vota te shtëpia s’ka vlerë, veç kur t’shkon në kuti e merr vlerën e vet”, ka thënë Bulliqi.

Qemaj Aliu në Shtime ka premtuar barazi gjinore. Ai ka thënë se në rast se zgjidhet kryetar, gjysma e kabinetit të tij do të jenë gra.

“Në programin tonë qeverisës do të ketë barazi gjinore 50/50 në udhëheqje, mbështetje me 100 euro për çdo lindje, prioritet punësimi i grave kryefamiljare etj. Sa më shumë gra të inkuadruar në procese zgjedhore e shoqërore, që sjellin frymën e barazisë gjinore dhe progres të pozitës së gruas në bashkësi, aq më mirë do të zhvillohet shoqëria jone”, ka thënë Aliu.

Zgjidhje të problemit të mbeturinave në Rahovec ka premtuar Visar Korenica, kandidat i LVV-së për kryetar komune. Korenica ka thënë se menaxhimi i mbeturinave do të kalojë në menaxhim të Komunës.