Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore / Tahiri: Zyra ime është edhe zyra e prodhuesve llapjanë

Premtime për përmirësime në disa fusha, si bujqësia, blegtoria e turizmi ka dhënë kandidati i AAK-së për Prizrenin, Lulzim Kabashi. E kandidati i kësaj partie për Podujevën, Besnik Tahiri, u ka thënë qytetarëve se me të kryetar, zyra e tij do të jetë edhe zyra e tyre

Listë premtimesh nëse fiton në garën për kryetar të Prizrenit ka shpalosur të premten kandidati i AAK-së për Prizrenin, Lulzim Kabashi.

“Nëse më besoni mua në katër vjetët e ardhshëm, zotimet e mia për ju janë këto: funksionalizimi i zonave industriale, mbështetja e bujqësisë dhe blegtorisë, krijimi i kushteve për investime të huaja dhe nga diaspora jonë, zhvillimi i turizmit, mbështetja për rininë, kulturën dhe sportin”, ka thënë Kabashi.

E një plan që u ofron qytetarëve të Pejës siguri, shëndetësi e të tjera e ka premtuar kandidati Rrustem Berisha.

“Kam një plan për Pejën që dallon nga të tjerët. Një plan për sigurinë, shëndetësinë, arsim, punësim, mirëqenie e zhvillim të qytetit e çdo banori”, ka thënë Berisha.

Mbështetje të vazhdueshme për prodhuesit dhe bizneset e Podujevës ka premtuar kandidati për kryetar të kësaj komune, Besnik Tahiri.

“Porosia ime e vetme për prodhuesit llapjanë, ata që e bëjnë ekonominë është shumë e thjeshtë: do të jem krah i juaji. Zyra ime do të jetë zyra e juaj, për shkak se ju kryeni punë më shumë se ne për publikun, për punësimin si porosi dhe prioriteti im më i madh sot në komunë”, ka thënë Tahiri.

Ndërsa kandidati për Istogun, Bekë Berisha, ka premtuar ndërtimin e një rruge.

“Unë jam i njoftuar për të gjitha problemet dhe hallet e qytetarit në Istog, po ashtu jam i njoftuar për të gjitha rrugët që nuk janë ndërtuar. I premtoj të gjitha, e premtoj edhe rrugën në Dobrushë se e di qe që një kohë të gjatë e kanë kërkuar, e premtoj dhe do ta bëj”, ka thënë Berisha.

E mbështetja nga kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, këtë herë është drejtuar te kandidati për Deçanin, Bashkim Ramosaj.

“Dhe ja sot e kam për nder të kërkoj votën e juaj për kryetarin tonë Bashkim Ramosaj e asamblistët tonë me numrin 121”, ka thënë ai në një video.

Haradinaj ka shtuar se kandidati i tyre është person i zoti dhe mund të punojë edhe për një mandat tjetër.