Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore / LDK-ja premton qindra mijëra euro për fshatrat në Fushë-Kosovë

Qindra e mijëra euro investime në fshatra, kontrolle mjekësore online, ndërtim shkollash e parqe biznesesh kanë qenë disa nga premtimet e kandidatëve të LDK-së për kryetar të komunave gjatë kësaj të enjteje.

Investime gati milionëshe janë premtuar në fshatin Miradi e Epërme në Fushë-Kosovë.

Kandidati i LDK-së për kryetar të kësaj komune, Burim Berisha, ka thënë se 830 mijë euro ka planifikuar t’i shpenzojë në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, mjedis, kulturë, rini e sport.

Gjatë shpalosjes së programit qeverisës për mandatin tjetër që po synon, kreu aktual i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se do të vazhdojë me investimet e domosdoshme në infrastrukturë porse gradualisht buxhetin e Komunës do ta transformojë në buxhet të investimeve për ekonominë familjare, arsimin, bujqësinë, sportin rininë dhe kulturën.

“Do të ndërtojmë rrugë të reja në qytetin e Lipjanit që do të lehtësojnë qarkullimin në trafik në qytet e në veçanti do të ndërtohen parkingje nëntokësore me parqe mbitokësore që do të zgjidhin problemin e parkingjeve dhe të parqeve në qytetin tonë”, ka premtuar ai.

Programin e ka prezantuar edhe kandidati për të parin e Istogut, Ilir Ferati. Ai ka thënë se ky program është i ndarë në dy pjesë, në projekte kapitale infrastrukturore në katër vjetët e ardhshëm dhe në planin për Istogun e të gjithëve.

“11 projektet kapitale që do të përfundohen në 4 vjetët e ardhshme në Istog janë, ndërtimi i kolektorëve kryesor për trajtimin e ujërave të zeza, ndërtimi i sheshit qendror në qendër të Istogut, ndërtimi i tregut të gjelbër, bulmetit dhe produkteve bio”, është shprehur Ferati.

Kandidati për Prizrenin, Anton Quni, ka vizituar disa biznese ku njëherësh ka dhënë edhe disa zotime.

Ai ka premtuar subvencionim të bizneseve që krijojnë vende pune për gra, si dhe është zotuar që në afat rekord do ta finalizojë parkun e biznesit.

Në Ferizaj kandidatja Sibel Halimi ka premtuar funksionalizimin e objektit të shkollës Ismail Qemali.

E kandidati Armend Agolli para mitrovicasve ka thënë se do t’i digjitalizojë shërbimet shëndetësore.

Ardian Shala, kandidat i LDK-së për Suharekën, ka vizituar fshatin Nepërbisht, ku ka prezantuar projektet e tij për këtë zonë, të cilat, sipas tij, kanë të bëjnë me investime në infrastrukturë.

Në Vushtrri kryetari aktual Xhafer Tahiri, që po synon edhe një mandat në krye të kësaj komune, ka përuruar hapjen e bibliotekës së këtij qyteti.