Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Gjini “zbulon një sekret” në fushatë

Dy projekte me fillim më datën 18 tetor, menjëherë në ditën pas zgjedhjeve, ka premtuar kandidati i AAK-së për Gjakovën, Ardian Gjini. Ai këtë premtim e ka quajtur si zbulim të një sekreti. E zhvillim ekonomik dhe vende pune ka premtuar kandidati për Gjakovën, Nazim Gagica.

Qytetarëve të Gjakovës u është premtuar se më datën 18 tetor, ditën e parë pas zgjedhjeve, do të fillojnë dy projekte.

Kandidati i AAK-së, Ardian Gjini, ka thënë se projektet janë të mëdha, por nuk ka treguar se për çfarë bëhet fjalë.

“Po ju zbuloj një sekret, dy projekte serioze kemi me i nisë me datën 18 tetor. Arsyeja pse i kemi lanë këto projekte me datën 18 tetor është veç me ju tregu të gjithëve, jo në Gjakovë se në Gjakovë e dinë por të gjithë Kosovës se me 18 në mëngjes në ditën menjëherë pas datës së zgjedhjeve kemi me vazhdu me dy projekte seriozisht të mëdha”, ka deklaruar ai.

Ndërsa premtime për zhvillim ekonomik dhe vende pune kanë marrë qytetarët e Gjilanit nga kandidati Nazim Gagica.

“Jemi të përkushtuar në krijimin e vendeve të punës, kushte adekuate për të bërë biznes dhe zhvillim ekonomik lokal. Ne do të ju përgjigjemi kërkesave më jetike aktuale të qytetarëve tanë për punësim dhe vetëpunësim”, ka deklaruar Gagica.

E me premtime për përmirësim të infrastrukturës dhe energji elektrike ka vazhduar fushatën në Hajvali kandidati për Prishtinën, Daut Haradinaj.

Ai Hajvalinë e ka quajtur paralagje të kryeqytetit me rëndësi të veçantë dhe ka thënë se me të kryetar edhe do të trajtohet si e tillë.

E përkrahje nga kreu i partisë, Ramush Haradinaj, këtë herë ka marrë Arben Halili, kandidat për Ferizajn.

“Jam krenar të qëndroj sot me ju dhe të kërkoj votën e juaj për Arben Halilit, kandidat për kryetar nga AAK-ja dhe për listën tonë për asamblistë të cilës i prinë një njeri i shquar i Ferizajit, Xhavit Zariqi”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa kandidati për Deçanin, Bashkim Ramosaj, fushatën e ka vazhduar në fshatin Llukë. Ai para banorëve të këtij fshati është zotuar se nuk do të ndalet së punuari derisa të realizojë të gjitha nevojat dhe kërkesat e tyre.