Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ PDK-ja premton përkrahje për bizneset dhe investim në shëndetësi

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka vazhduar me nënshkrimin e 18 zotimeve, kësaj here në lagjen “Ulpiana” të Prishtinës.

Ismaili tregoi arsyen se përse e ka për zemër këtë lagje.

“Por, po ashtu më duhet me tregu se “Ulpianën” e kam për qejfi, sepse Arizona, gruaja ime, është nga Ulpiana”, ka thënë ai.

Është zotuar se deri në vitin 2024 do t’i rregullojë problemet e lagjes, e që sipas tij janë të shumta, duke filluar nga mungesa e parkingjeve deri te problemi me qentë endacakë.

“Ulpiana duhet të ketë pastërti në çdo pjesë të lagjes, kontejnerët e mbeturinave nuk munden të jenë pika të zeza të lagjes, tunelet nuk munden të jenë të errët e të rrezikshëm, qentë endacakë nuk munden me i rreziku fëmijët e më të dashurit tanë. Ulpiana do të jetë zona kryesore qendrore e rripit të gjelbër që fillon nga rrethi i flamurit e deri në Gërmi. Kjo do të thotë se ‘Ulpiana’ do të jetë ndër lagjet që përfiton më së shumti investime në krijimin e “rripit të gjelbër” të Prishtinës."

Ndërkaq, Hyzer Rizani, kandidat i PDK-së për kryetar të Lipjanit, gjatë shpalosjes së programit të tij, është zotuar se do ta ndërtojë objektin e emergjencës.

“Prioritet yni janë shëndetësia, ofrimi i shërbimeve cilësore dhe efikase shëndetësore. Do ta ndërtojmë objektin e emergjencës, do t’i funksionalizojmë ambulancat ekzistuese nëpër fshatra dhe do të ndërtojmë të tjera. Çdo qendër e Mjekësisë Familjare do të ketë autoambulancë, do ta rifuksionalizojmë maternitetin, do ta rrisim numrin e gjinekologëve, mirëqenia do të jetë e garantuar për të gjithë lipjanasit pa dallim”, ka theksuar Rizani.

Rregullim të rrugës “Ali Zeneli”, në Mitrovicë, ka premtuar Bedri Hamza, kandidati për kryetar i kësaj komune nga radhët e PDK-së.

Nëpërmjet një videoincizimi në “Facebook”, Hamza e ka paraqitur vizualisht projektin e kësaj rruge.

E gjatë një vizite te një biznes në Prizren, Shaqir Totaj kandidat për kryetar të komunës nga PDK-ja, ka premtuar mbështetje të bizneseve start-up, dhe rinfunksionalizim të Zonës Ekonomike.

Mbështetje bizneseve u ka premtuar edhe kandidatja për kryetare të Gjilanit, Leonorë Bunjaku.

Ndërkaq nga 8 prioritetet, Ali Nimanaj, kandidat për kryetar të Istogut, ka thënë se mbështetjen e bizneseve e ka të parin.