Lokalet 2021

Kronika zgjedhore / Spitalin e iniciuar sa ishte ministër, Ismaili dëshiron ta realizojë si kryetar

 

Mungesa e spitalit rëndon edhe profesionistët tanë shëndetësorë, sepse shumë nga ta do të mund të gjenin punë si profesionistë shëndetësorë në Spitalin e Prishtinës dhe kështu të rritej kapaciteti i personelit tonë shëndetësor e në anën tjetër të jepen shërbime më të shpejta e cilësore për të gjithë qytetarët e Prishtinës”, ka deklaruar kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili

Fushatën e tij pa tubime me qytetarë, por aktiv me konferenca për media, është duke e zhvilluar kandidati i PDK-së për kryetar të kryeqytetit, Uran Ismaili. Të mërkurën, gjatë një konference për media, Ismaili është zotuar për ndërtimin e spitalit të qytetit. Ai ka thënë se ky projekt është nisur sa ishte ministër i Shëndetësisë dhe se do ta përfundojë në rast se zgjidhet kryetar i Komunës së Prishtinës. Sipas Ismailit, ndërtimi i spitalit do të sillte dobi edhe për QKUK-në, e cila, sipas tij, është e stërngarkuar.

“Ky prioritet i imi dhe kjo kërkesë e qytetarëve është ndërtimi i Spitalit të Prishtinës. Të gjithë pacientët e që janë qytetarë të Prishtinës të vetmen adresë sot e kanë QKUK-në, i cili si institucion terciar u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, prandaj ajo çfarë u ndodh qytetarëve të Prishtinës është se ata duhet të presin në rend me të gjithë qytetarët e tjerë, të cilët veçse kanë ardhur nga spitalet të cilët i kanë të qyteteve të tyre”, ka deklaruar Ismaili.