Lokalet 2021

Ismaili premton transport publik falas dhe pesë parkingje në hyrje të Prishtinës

Descriptive Text

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka thënë se nëse merr drejtimin e kryeqytetit, planifikon të bëjë transportin publik falas për gjithë qytetarët e Prishtinës dhe të ndërtojë pesë parkingje në pika të ndryshme në hyrje të Prishtinës.

Ai ka thënë se është me rëndësi që Prishtina të ketë transport publik falas, por ai të jetë efikas dhe po ashtu në aspektin financiar i menaxhueshëm.

Ismaili për “Zgjedhjet në KOHË” ka thënë se i kanë bërë gjithë llogaritjet dhe se ky premtim është i realizueshëm.

“Kemi bërë llogaritjet financiare, pasi e kundërta nuk do të ishte model i qëndrueshëm. Duhet të kuptojmë se Prishtinës i nevojiten diku rreth 8 milionë kilometra me bo për me arrit një transport publik për të gjithë qytetarët e i duhet një flotë prej afro 150 autobusëve. I bie këto që i kemi sot, dhe 30 tjerë që ka thënë kryetari aktual Shpend Ahmeti se do të shtohen, e po ashtu me kontrata që do të bëjmë me operatorë privatë, do të realizohet kjo. Operatorët privatë natyrisht duhet rinovuar autobusët sipas standardit të caktuar, e jo të jenë ata që kanë tash. Kur e kemi një sistem i tillë, atëherë duhet të jetë i menaxhueshëm edhe në aspektin financiar. Mund të bëhet kjo përmes menaxhimit të parkingjeve, gjenerimit të hyrave nga ato. Më pas vendosjes së reklamave në autobusë e në vendqëndrime. Gjithë këto e bëjnë modelin e qëndrueshëm në aspektin financuar. Duhet menduar se si me dhënë shërbime të mira e të bëhet një model i qëndrueshëm financiar. Duhen të dyja e jo vetëm njëra. Është e domosdoshme që Prishtina të ketë transport publik pa pagesë për qytetarët. Ne e përdorim më së paku transportin publik nga gjitha kryeqytetet në rajon, vetëm 37 për qind. I bie numër i vogël i qytetarëve udhëton me autobus. Nuk është faji i tyre, është i shërbimeve, dhe duhet përmirësuar”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka thënë se për qytetarët që vijnë të punojnë në Prishtinë nga qytetet tjera, apo të vizitojnë Prishtinën nga qytetet tjera, mund të paguajnë parkingun në hyrje në periferi të qytetit, e të marrin biletë falas për transport publik. Ai ka thënë se veturat që vijnë nga qytetet tjera janë problemi më i madh dhe se ngarkohet kryeqyteti, e se mendon të rregullojë këto me parkingje në hyrje të qytetit.

“Prishtina i ka 88 mijë vetura të veta, mos harroni se këtyre 88 mijë veturave, i shtohen afro 130 mijë në ditë që vijnë nga jashtë. Në realitet ato janë problemi më i madh i Prishtinës. Banorëve të Prishtinës po u zihet parkingu, më pas trafiku po rëndohet, e po është problem edhe për jetën e përditshme. Është e rëndësishme të bëhet zgjidhje për këtë. Me pesë parkingjet jashtë Prishtinës, ata mund të vendosin veturat aty. Më pas nuk kanë asnjë lloj problemi me pagesa shtesë. E paguajnë parkingun dhe kanë biletën falas të transportit publik, i sjellë në qendër pa asnjë telashe. Edhe për banorët e qyteteve tjera kanë telashe të gjejnë parkingje në qytet”, ka thënë Ismaili.

Ai në anën tjetër ka thënë se duhet që “Prishtina Parking” të jetë më efikase. Ai ka thënë se në lagjen e vet qytetari i Prishtinës duhet ta ketë të drejtën për të parkuar.