Lokalet 2021

Kandidatët e PDK-së, përkrahje kulturës dhe biznesit

Shumica e kandidatëve për kryetar të komunave nga radhët e PDK-së kanë shfrytëzuar ditën e fillimit të vitit të ri shkollor për të uruar nëpërmjet rrjeteve sociale nxënësit e mësimdhënësit. Disa prej tyre në aktivitetet elektorale kanë premtuar sundim të ligjit, subvencionim të bizneseve dhe kulturës

Partia Demokratike e Kosovës fushatën e saj e ka vazhduar me vizita në fshatra e biznese të ndryshme. Premtime të ndryshme ka dhënë kandidatja e kësaj partie për kryetare të Gjilanit, Leonorë Bunjaku, përmes Facebookut, ka dhënë premtime e që kryesisht kanë të bëjnë më sundim të ligjit.

Ndërkaq Muhamed Kallaba ka shfrytëzuar ditën e nisjes së vitit të ri shkollor për ta akuzuar qeverisjen aktuale në Kamenicë.
“Po ashtu, shpreh keqardhjen time që në këtë ditë të lumtur për fëmijët afër 500 nxënës të komunës sonë nuk e vazhdojnë mësimin në shkollat përkatëse të lokaliteteve të tyre. Kjo është skandaloze dhe e papranueshme, prandaj duhet të ndryshojë sa më parë. T’u ofrohen kushtet për mësim atyre nxënësve në objektet shkollore tashmë ekzistuese”, ka thënë Kallaba.

Shaqir Totaj, kandidat i PDK-së për kryetar të Prizrenit, fushatën e ka vazhduar me vizita në bizneset e qytetit. Aty ka thënë se bizneset janë shtylla kryesore ekonomike e Prizrenit.
“Në vazhdën e takimeve këtë të hënë vizituam biznese e firma në Vlashnje, me të cilët biseduam për sfidat që po përjetojnë si pasojë pandemisë. Përkrahja e munguar për ta do të rikthehet pas 17 tetorit pasi që gjatë udhëheqjes sime do të funksionalizojmë zonën ekonomike. E nëpërmjet themelimit të Fondit do të mbështesim bizneset ekzistuese në ngritje të kapaciteteve e do të ofrojmë lehtësime për tregtarët, prodhuesit e ndërmarrësit e rinj duke synuar rimëkëmbjen e përgjithshme të Prizrenit”, ka thënë Totaj në Facebook.

E Bejtullah Deliu ka zgjedhur që të marrë këshilla nga të rinjtë e Rahovecit. Gjatë një takimi me ta ai ka thënë se ka marrë ide e sugjerime të reja që do t’i ndihmojnë atij në hartimin e programit.

“Nga të rinjtë mora ide dhe sugjerime shumë të mira që plotësojnë programin tonë. I sigurova të rinjtë që ata jo vetëm që janë prioritet, por do të jenë në ballë të punëve që na presin, dhe se të gjitha idetë do të jenë pjesë e platformës sonë për Rahovecin” ka thënë Deliu.

Përkrahje për kulturën ka premtuar Floretë Zenjullahu, kandidate për kryetare në Podujevë. Ajo është zotuar se do të ketë subvencionime në mbrojtje të vlerave kulturore dhe historike të qytetit.
“Kultura do të ketë përkujdesje të veçantë, duke subvencionuar gjurmimet, restaurimet dhe vendosjen nën mbrojtje të vlerave kulturore dhe historike”, ka shkruar ajo në Facebook.

Derisa kandidatët për kryetar të komunave tjera kanë vazhduar me urime për nisjen e vitit të ri shkollor, si dhe prezantimin e kandidatëve për asamble.