Lokalet 2021

Mehmeti premton qendër olimpike për Prishtinën

Me premtimin për mbrojtje nga ndotja akustike ka shpalosur programin qeverisës kandidati i AKR-së për Prishtinën, Gëzim Mehmeti. Ai ka thënë se qytetarëve do t’u ofrohet zgjidhje për këtë problem e edhe për të tjerat, sepse tha se do të bashkëqeverisë me ta.

“Ne kemi një vizion të saktë që të shohim instalimin e sensorëve afër lokaleve që janë këtu dhe që bën matjen e ndotjes akustike. Me vendosjen e sensorevë në lagje automatikisht pa ndonjë lajmërim në komunë apo ankesë sensorët lajmërojnë qendrën monitoruese”, ka thënë ai.

Mehmeti ka thënë se kjo qendër monitoruese përmban disa faktorë.

“Kryetari është Policia e Kosovës, Prokuroria, mediat, që është shumë e rëndësishme, shoqëritë e ndryshme civile dhe qytetarët”, tha kandidati i AKR-së për Prishtinën.

Ai gjithashtu ka premtuar ndërtimin e një qendre olimpike në Prishtinë.

“Kemi paraparë një investim prej një milion e 700 mijë eurosh, ku do të jetë qendra olimpike e Prishtinës. Aty do të ketë terrene sportive, do të jetë qendra e mjekësisë sportive që i mungon Kosovës, do të ketë palestra për volejboll, basketboll etj.”, ka thënë ai.

Mehmeti fushatën e ditës së 11-të e ka mbyllur me thirrjen drejtuar qytetarëve që të votojnë AKR-në në zgjedhjet e 17 tetorit.