Lokalet 2021

Kronika Zgjedhore/ Haziri shkel masat me tubime, Ahmetin në Lipjan e befasojnë mërgimtarët

Një javë nga fillimi i fushatës, kandidatët e LDK-së nuk po u rezistojnë tubimeve me numër të madh të njerëzve. Të tilla, në kundërshtim me masat, ka organizuar kandidati për kryetar të Gjilanit, Lutfi Haziri. Disa kandidatë të kësaj partie, përveç fjalëve të mira, në tubimet elektorale po marrin edhe dhurata.

Fushata elektorale me numër të vogël të njerëzve nuk u ngjan aktiviteteve të kreut aktual të Gjilanit, i cili po synon edhe një mandat tjetër.

Në kundërshtim me masat për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit, Lutfi Haziri ka zhvilluar disa takime me qytetarë për t’ua kërkuar votën.

Në Malishevë, ai tha se do të ndërtohet një shkollë me terren të hapur sportiv e do të përfundohen të gjitha projektet infrastrukturore.

E në Hajvali të Prishtinës, kandidati i LDK-së, Përparim Rama, premtoi zgjidhje të problemit me ujërat e zeza, projekt i cili sipas tij kap shumën prej 1.5 milionë eurosh.

“Krejt Hajvalia, të gjitha degëzimet në pjesën kryesore, me të gjitha degëzimet që kryejnë shërbimin edhe për zonat rezidenciale, edhe për komerciale kushton 1.5 milionë euro, kemi me bo këtë projekt menjëherë, në vitin e parë dhe në vitin e dytë, nga 750 mijë euro për fazën e parë dhe për fazën e dytë, do të fillojmë menjëherë”, ka premtuar Rama.

E kandidatit të LDK-së për Mitrovicën, Armend Agollit, pas takimit me disa taksistë, ata i thanë diçka për të cilën ai ka zgjedhur t’u besojë.

“Jam takuar dje me një grup taksistësh. Askush më mirë se ata nuk e din se çfarë flitet në qytet. Po m’thonin: dok, poget kësaj here doni me fitu, krejt udhëtarët po thojnë ‘kemi me e votue Dokin’. Edhe unë po mendoj si ata”, ka thënë Agolli.

Ditë të mirë të fushatës pati edhe kandidati për Lipjanin.

Atij një mërgimtar ka zgjedhur t’i bëjë një befasi në mes të sheshit “Adem Jashari” në Lipjan.