Lokalet 2021

Haskuka në hapje të fushatës: Do ta fitojmë Prizrenin pa balotazh

Në oborrin e shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë hapjen e fushatës për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Kryetari aktual i kësaj komune, Mytaher Haskuka është shprehur i bindur për fitore pa balotazh. Madje, ai ka deklaruar se gjatë këtij mandati katër vjeçar kanë arritur të përmbushin 95 për qind të premtimeve, ani pse nuk kanë pasur mbështetje në kuvendin komunal.

"Do të fitojmë Prizrenin pa balotazh, ashtu qe të fitojmë edhe shumicën e asamblesë komunale në qytetin tonë. Besimi im në këtë fitore bazohet në atë që lista jonë është më e mira në Prizren. Dhe ju jeni një grup profesionistësh dhe një listë është e njerëzve të ndershëm dhe të guximshëm dhe së bashku do të vazhdojmë ndryshimin", ka deklaruar ai.

Më tej, ai tha se do të vazhdojnë reformat në shumë fusha, duke theksuar se pesë objektivat e programit të tij do të jenë të realizuara deri në fund të mandatit.

"Unë ndjehem krenar para jush dhe para qytetarëve të komunës së Prizrenit. Sepse kemi arritur gjatë këtyre katër viteve dhe të përmbushim 95 për qind të premtimeve që kemi dhënë në vitin 2017. Edhe pse disa thonin që është e pamundur, ne kemi arritur të bëjmë reforma në administratë. Kemi hapur qendrën per shërbimit të integruara. Duke kursyer 1,5 milionë euro komunës brenda vitit. Përkundër vështirësive për alokim të buxhetit, për pagesën e edukatorëve në tri vitet e kaluara kemi arritur te funksionalizojmë çerdhen e parë publike në Prizren. Ndërsa, çerdhja e dytë në Dardani ka përfunduar dhe do të funksionalizohet në momentin që masat do të hiqen. Së shpejti do të kryhet edhe çerdhja në Bajram Curr dhe Ortakoll dhe këto janë çerdhet më të mëdha në Kosovë", u shpreh ai.

Kandidati për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka tha se gjatë kësaj kohe kanë punuar të vetmuar, pa mbështetjen e asamblesë komunale.

E kryetari i qendrës së LVV-së në Prizren, Artan Abrashi ka thënë se kjo fushatë po hapet pa praninë e mijëra përkrahësve, por i bindur se janë drejt fitores. Ai shtoi se katër vjet më parë ata u angazhuan që të çrrënjosin korrupsionin duke u dhënë goditjen më të madhe bandave. /KP