Fotografia e fytyrës mund të zbulojë nëse jeni të sëmurë

Fotografia e fytyrës mund të zbulojë nëse jeni të sëmurë

16 qershor 2018 08:17

Shkencëtarët në Suedi kanë zbuluar se në bazë të fotografisë së fytyrës në më shumë se 80 për qind të rasteve mund të konstatohet nëse një person është i sëmurë apo jo. Ata e konkluduan këtë në bazë të një studimi në të cilin të anketuarve u dhanë fotografi të personave të ndryshëm me pyetjen nëse besonin se bëhej fjalë për njerëzit e sëmurë apo jo.

Rezultatet kanë treguar se për njerëzit, sipas të gjitha gjasave, është shumë e thjeshtë të konstatojnë nëse një person në foto është i sëmurë dhe nëse duhet të shmanget, transmeton koha.net.

Kur u përballën me fotografitë e personave të shëndetshëm dhe të sëmurë, të anketuarit me saktësi të lartë (në 81 për qind të rasteve) i veçuan ata persona që ishin me të vërtetë të sëmurë, njoftoi kështu ekipi shkencor i Institutit suedez Karolinska në Stokholm.

Ekipi u drejtua nga neuroshkencëtari John Axelsson dhe i infektoi vullnetarët me bakterin e.Coli, i cili shkakton reagim inflamator, ndërsa grupi i kontrollit të njerëzve e mori vetëm një injeksion placebo.

Dy orë pas marrjes së injeksionit, vullnetarët u fotografuan normalisht dhe pas kësaj fotografitë iu treguan pjesëmarrësve të hulumtimit. Shkencëtarëve, përveç njohjes gjithashtu u interesonte të dinin se cilat janë karakteristikat specifike që i ndihmuan të anketuarit që të vendosin dhe të përcaktojnë nëse personat në fotografitë e treguara janë vërtet të sëmurë apo të shëndoshë.

Në raundin e dytë të hulumtimit ata kaluan kohë duke u fokusuar në simptomat vizuale të sëmundjes në fytyrat e njerëzve.

Kjo i përfshiu buzët e zbehta dhe tenin e zbehtë, lëkurën e vijëzuar ose me shkëlqim, këndet e ulura të buzëve, dhe sytë e fryrë ose të skuqur. Me përjashtim të lëkurës me shkëlqim, të gjithë të pranishmit në hulumtim i identifikuan faktorët e mbetur si vendimtar në bazën e të cilëve i njohën personat e sëmurë në fotografi.

Studiuesit në punimin e publikuar në Proceedings of the British Royal Society B paralajmëruan se mbështetja ekskluzivisht në analizën vizuale gjithsesi mund të jetë mashtruese.

Për shembull, fytyrat e personave të lodhur ose të pikëlluar mund të ngatërrohen gabimisht me ato të të sëmurëve. Ky fenomen përputhet me studimet e tjera të mëhershme të cilat sugjerojnë se në shoqëri shmangen shumë njerëzit e lodhur.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme