Lifestyle

Çiftet e martuara që konsumojnë marihuanë grinden më pak

Studimet e mëparshme rreth konsumit të marihuanës dhe dhunës në mesin e çifteve kanë pasur rezultate kontradiktore, por një studim që i hulumtoi 634 çifte në nëntë vitet e para të martesës tregoi se sa më shpesh që çiftet konsumuan marihuanë, aq më pak të ngjarë kishte që të ndodhte dhunë në familje.

Studimi u publikua në revistën Psychology of Addictive Behaviors, ndërsa u udhëhoq nga shkencëtarët nga Universiteti Buffalo (UB) Shkolla për shëndetin publik dhe Instituti për hulumtime të varësisë, transmeton Koha.net. Autori kryesor Philip H. Smith e bazoi studimin në të dhënat që i mblodhi nga Kenneth Leonard, udhëheqësi i Institutit UB për hulumtime të varësisë.

Pasi që i vlerësuan 9 vitet e para të martesës, shkencëtarët zbuluan se çiftet që konsumuan shpesh marihuanë (2 ose 3 herë në muaj ose më shpesh) - patën më pak dhunë në familje.

Hulumtuesit shtuan se lidhja mes konsumit të marihuanës dhe dhunës së reduktuar në familje ishte më e fortë tek femrat të cilat nuk kishin histori të sjelljes antisociale.

Leonard tha se gjetjet e tyre sugjerojnë se përdorimi i marihuanës e parashikon një nivel më të ulët të dhunës ndaj partnerit gjatë vitit vijues. “Ashtu si me studimet e tjera për dhunën në mes të partnerëve dhe përdorimit të marihuanës, ne i hulumtuam mostrat e konsumit të marihuanës dhe shfaqjen e dhunës brenda një viti, përcjell Koha.net. Nuk shikuam nëse reduktimi i konsumimit të marihuanës në një ditë të caktuar i zvogëlon gjasat e dhunës pikërisht në atë kohë”.

Supozohet se çiftet që konsumojnë marihuanë “mund të ndajnë vlera të njëjta dhe qarqe të njëjta shoqërore, ndërsa kjo ngjashmëri është përgjegjëse për uljen e gjasave të grindjeve”.