Lifestyle

Lufta ndaj plastikës, BE-ja propozon të ndalohen pjatat dhe pirunjtë e plastikës

Komisioni Evropian ka propozuar një ndalim total për disa produkte plastike njëpërdorimëshe dhe masa për të shkurtuar drastikisht konsumin e disa produkteve të tjera. Kjo është iniciativa më e fundit nga Bashkimi Evropian për të reduktuar ndotjen nga plastika, ndotjen e deteve dhe oqeaneve, si dhe për të reduktuar emetimet e karbonit.

Ndalimi do të zbatohet për lugët, pirunjtë, pipëzat, përzierësit e pijeve, shkopinjtë e balonave dhe kunjat e veshëve. Ndërkohë shtetet anëtare do të detyrohen edhe të ulin përdorimin e kontejnerëve plastikë të ushqimit dhe gotave duke ndaluar shpërndarjen e tyre pa para. Kjo do të thotë se për këto produkte do të aplikohen taksa ose do të rriten shumë çmimet.

“Plastika mund të jetë fantastike, por ne duhet ta përdorim atë me më shumë përgjegjshmëri. Propozimet e sotme do të ndihmojnë bizneset dhe konsumatorët të lëvizin drejt alternativave të tjera më të qëndrueshme”, u shpreh zëvendëspresidenti i KE, Jyrki Katainen, raporton “ScanTV”.

BE-ja u propozon kompanive të ngrenë sisteme ripërdorimi që garantojnë riciklimin e plastikës, duke ngritur skema rimbursimi për qytetarët që depozitojnë produkte plastike.

Përmes propozimit të KE-së, synohet që deri në vitin 2025, shtetet të jenë në gjendje të grumbullojnë 90% të shisheve plastike për një përdorim. Direktiva e re synon t’u kursejë konsumatorëve rreth 6.5 miliardë euro në vit, si dhe të ulë emetimet me rreth 3.4 milionë ton dioksid karboni.