Viagra ka një efekt anësor krejt të papritur që mund të shpëtojë mijëra jetë

Viagra ka një efekt anësor krejt të papritur që mund të shpëtojë mijëra jetë

26 prill 2018 09:24

Për shkak të efekteve të saj dalluese në fiziologjinë mashkullore, Viagra është një ilaç që ua ka ndryshuar jetën meshkujve të shumtë në mbarë botën gjatë dy dekadave të fundit.

Por një efekt i papritur anësor i pilulës së vogël të kaltër e nënkupton një potencial më të madh transformues për të cilin shkencëtarët nuk dinin më parë - efekt që mund të shpëtojë mijëra jetë, transmeton koha.net.

Hulumtuesit që i studiojnë efektet e Viagrës (sildenafilit) në minj kanë zbuluar se një dozë e vogël e përditshme e ilaçit në ujin e pijshëm të kafshëve e zvogëlon në mënyrë të konsiderueshme rrezikun e tyre për zhvillimin e kancerit kolorektal.

"Dhënia e një doze të vogël të Viagrës mund ta zvogëlojë sasinë e tumoreve në këto kafshë për gjysmë", thotë biokimisti Darren D. Browning nga Universiteti Augusta.

Duhet ta kemi parasysh se deri më tani ky rezultat i habitshëm është demonstruar vetëm në modelin e kafshëve, dhe jo në njerëz.

Por ky është hapi i ardhshëm që ekipi dëshiron ta bëjë, duke thënë se një studim klinik me pacientët që konsiderohen të jenë në rrezik të lartë të kancerit kolorektal - ose që kanë histori familjare të sëmundjes - duhet të jetë prioritet hulumtues.

Nëse një studim i tillë e merr dritën e gjelbër dhe efektet mund të replikohen tek njerëzit, ky mund të jetë një hap i madh përpara në shpëtimin e jetëve nga kanceri.

Tek njerëzit, kanceri kolorektal është kanceri i tretë më i shpeshtë në mbarë botën, duke shkaktuar më shumë se 1 milion raste në vit - rreth 50.000 prej të cilëve përfundojnë me vdekje në SHBA çdo vit.

Ekziston mundësia që mund t'i zvogëlojmë këto shifra të zymta me Viagra, mendojnë studiuesit, falë efektit që ilaçi duket se e ka në indet që mund të bëhen kancerogjene.

Në studim, hulumtuesit treguan se doza ditore e Viagrës e përgjysmoi formimin e polipeve në indet e miut: grumbuj anormalë të qelizave që formohen në shtresën e zorrëve, të cilat kanë tendencë për t'u bërë tumore.

Një tjetër ilaç me të cilin hulumtuesit kanë eksperimentuar, linaklotidi – i cili përdoret për ta trajtuar kapsllëkun dhe sindromën e zorrëve të irrituara (IBS) - ishte edhe më efektiv se Viagra.

Por ai vjen me një efekt negativ: diarre, madje edhe në doza të vogla, gjë që e bën atë të papërshtatshëm për përdorim të zgjatur, thonë studiuesit.

Ndërkohë që Viagra në doza aq të ulëta nuk njihet të prodhojë efekte anësore tek njerëzit, gjë që mund ta bëjë atë një mënyrë të sigurt dhe të përshtatshme për ta ndaluar përhapjen e polipeve, falë faktit se e promovon prodhimin e një kimikati të quajtur GMP ciklike brenda trupit.

Procesi i saktë me të cilin GMP ciklik është i dobishëm për shtresën e zorrëve ende është duke u studiuar, por hulumtimi deri më tani sugjeron se kimikati e frenon riprodhimin e tepërt të qelizave - formimin e qelizave të reja - në zorrë.

Duke e parë se zorrët duhet të ballafaqohen me çdo gjë që e vendosim në gojën tonë në baza ditore, ato e përjetojnë një qarkullim të lartë të qelizave - kjo është arsyeja se pse formimi i polipeve është kaq i shpeshtë. Sa më shumë qeliza të reja formohen, aq më shumë ka që diçka mund të shkojë keq.

Por GMP ciklik duket se e rritë formimin e qelizave normale, duke i eliminuar qelizat abnormale.

"Kur e japim Viagrën, ne e tkurrim të gjithë departamentin e riprodhimit", thotë Browning.

"Qelizat riprodhuese janë më shumë subjekt i mutacioneve që shkaktojnë kancer."

Nuk është hera e parë që Viagra ka treguar përfitime të papritura shëndetësore krejtësisht të ndryshme nga origjina e saj në trajtimin e mosfunksionimit erektal - gjë që vetëm tregon se si shkencëtarët po zbulojnë vazhdimisht mekanizma të rinj molekularë në ilaçe të vjetra.

Në këtë rast, polipet ekzistuese nuk duket se afektohen nga ilaçi, kështu që si duket Viagra nuk mund të përdoret për t’i luftuar indet që tashmë janë shndërruar në kancer. Por sa i përket parandalimit të kancerit, si duket është zbuluar diçka krejt të re këtu. Gjetjet janë raportuar në Cancer Prevention Research.

Legjenda-02: (Phil Jones / Universiteti Augusta)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme