Australia do të bëhet vendi i parë që do ta eliminojë plotësisht një lloj të kancerit

Australia do të bëhet vendi i parë që do ta eliminojë plotësisht një lloj të kancerit

21 prill 2018 12:10

Shoqata Ndërkombëtare e papilomavirusit ka njoftuar se Australia mund të bëhet vendi i parë i cili do ta eliminojë plotësisht kancerin e qafës së mitrës.

Sipas një studimi të ri, përpjekjet e Australisë për shpërndarjen e Vaksinës së Papilomavirusit (HPV) falas nëpër shkolla ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm.

Infeksioni i transmetueshëm seksualisht shkakton 99.9 për qind të rasteve të kancerit të qafës së mitrës, transmeton koha.net.

Në vitin 2007, qeveria federale australiane e filloi ofrimin e vaksinës për vajzat e moshës 12-13-vjeçare, ndërsa në vitin 2013 ajo u bë e disponueshme edhe për djemtë. Vajzat dhe djemtë jashtë kësaj grupmoshe, por nën moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare kanë të drejtë edhe për dy doza falas të vaksinës.

Mes viteve 2005 dhe 2015, përqindja e femrave australiane të moshave 18-24 vjeç që kishin HPV ka rënë nga 22.7 për qind në vetëm 1.1 për qind.

Normat e imunizimit janë rritur më tej që nga viti 2015, duke kontribuar në atë që përshkruhet si efekti i "mbrojtjes së tufës".

Bota nuk po e zë hapin

Në Shtetet e Bashkuara, vaksina për HPV nuk është falas. Ajo mund të kushtojë deri në 450 dollarë për regjim të plotë, sipas Shoqatës së Profesionistëve të Shëndetit Riprodhues, edhe pse ndihma financiare shpesh është në dispozicion.

Në vitin 2016, 78.6 përqind e vajzave australiane 15-vjeçare dhe 72.9 përqind e djemve australianë 15-vjeçarë u vaksinuan - por vetëm 50 përqind e vajzave amerikane midis moshave 13 dhe 17 vjeç dhe 38 përqind e djemve amerikanë në mes moshave 13 dhe 17 vjeç ishin vaksinuar, sipas të dhënave të publikuara nga Henry J. Kaiser Family Foundation.

Situata është shumë më e keqe në botën në zhvillim, ku shkalla e incidencës së papilomavirusit mbetet e lartë.

"Dy të tretat e popullsisë së femrave në botë nuk kanë qasje në atë që kanë femrat australiane", tha Joe Tooma, shefi ekzekutiv i Australian Cervical Cancer Foundation.

"Nëse nuk bëjmë diçka, ky do të vazhdojë të jetë një nga vrasësit më të mëdhenj të kancerit në vendet në zhvillim".

Administrimi i vaksinës HPV në shkolla ka rezultuar gjithashtu të jetë efektiv në një provë që u zhvillua në Butan.

Ofrimi i një qasjeje të këtillë falas si vaksinë në vendet e tjera në zhvillim mund të duket si një masë e shtrenjtë, por siç tregon shembulli australian, kjo mund ta lehtësojë barrën e kancerit të qafës së mitrës më vonë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme