Lifestyle

Pecetat e lagështa rrisin rrezikun e zhvillimit të alergjive tek foshnjat

Studimi i hulumtuesve amerikanë ka treguar se pecetat e lagështa shkaktojnë rrezik prej reaksioneve alergjike tek fëmijët, sepse e shkatërrojnë shtresën natyrore mbrojtëse të lëkurës që e bën atë më të ndjeshme ndaj kimikateve.

Nëse pas përdorimit të pecetave të lagështa nuk lahet pjesa e trupit që është fshirë, foshnjat do të bëhen të ndjeshme ndaj absorbimit të kimikateve që shkaktojnë alergji pasi që fëmija vjen në kontakt me to, transmeton Koha.net. Kjo është veçanërisht e vërtetë për fëmijët që kanë predispozita gjenetike për zhvillimin e alergjive që lidhen me shfaqjen e ekzemave.

“Kjo është një recetë për zhvillimin e alergjisë ndaj ushqimit. Ky është një hap i madh në të kuptuarit tonë se si alergjia ndaj ushqimit fillon herët”, tha autorja e studimit, Joan Cook-Mills, profesoreshë e alergjisë dhe imunologjisë në Universitetin Northwestern.

Ekzema shfaqet kur mutacionet gjenetike i çrregullojnë disa nga proteinat në lëkurë që e krijojnë efektin e barrierës.

Ekipi hulumtues përpara ekspozimit të minjve ndaj ushqimit të zakonshëm që konsiderohet alergjen, në lëkurën e tyre e aplikoi fillimisht sulfatin e natriumit lauril, sapuni që ndodhet në pecetat e lagështa. Në periudhën prej dy javësh testimin e kryen tre ose katër herë, dhe pastaj minjve iu dhanë të hanë vezë ose kikirikë. Ata zbuluan se skuqja alergjike zhvillohet në vendet ku është përdorur sapuni, dhe se kishin reaksione alergjike dhe procese anafilaktike në trup.

Kjo është arsyeja se pse prof. Cook-Milles beson se prindërit duhet t’i kthehen larjes së foshnjave.

“Reduktoni ekspozimin e lëkurës së foshnjës duke i larë duart para kontaktit me foshnjën dhe duke e kufizuar përdorimin e pecetave të lagështa të cilat lënë gjurmë të sapunit në lëkurë. Shpëlajeni sapunin me ujë, siç bënim shumë vjet më parë”, tha profesoresha.