Lifestyle

Shkencëtarët zbulojnë se si ta ngadalësojmë plakjen

Foto: Ilustrim

Plakja është një proces i pashmangshëm në jetën e çdo krijese të gjallë.

Shumë njerëz përpiqen ta ndalojnë ose ta ngadalësojnë atë me metoda të ndryshme si, për shembull, kremrat e ndryshme, ilaçet ose kirurgjia estetike. Megjithatë, shkencëtarët nga Universiteti Birmingham kanë zbuluar se ushtrimet e rregullta janë një nga mënyrat më të mira për ta ngadalësuar plakjen.

Në hulumtimin e publikuar në revistën Aging Cell morën pjesë personat midis moshës 55 dhe 79 vjeç, të cilët po e jetonin një jetë aktive, transmeton Koha.net. Rezultatet u krahasuan me rezultatet e mbledhura nga studimi i subjekteve të shëndetshme midis moshës 57 dhe 80 dhe 20-36 vjeç, të cilët nuk ushtruan rregullisht.

Studimet e mëparshme kanë pretenduar se trupi dobësohet për shkak të plakjes, pavarësisht nga numri i orëve të kaluara në palestër, por rezultatet e këtij studimi treguan se kjo nuk është e vërtetë. Aktiviteti fizik ua ka mundësuar individëve të mbajnë nivele normale të kolesterolit dhe të zhvillojnë imunitet të mirë. Shkencëtarja Niharika Arora Duggal shpreson se hulumtimi i tyre do ta ndryshojë mendimin e njerëzve se mosha është diçka që duhet ta durojmë, dhe jo diçka që duhet ta shijojmë.

Të gjithë pjesëmarrësit e hulumtimit merreshin me çiklizëm. 84 meshkuj mundën t’i kalojnë 100 km për 6.5 orë dhe 41 femra 60 km për 5.5 orë.

Shkencëtarët i gëzoi më shumë zbulimi i ndikimit pozitiv të ushtrimeve në imunitet. Timusi është organ i cili i prodhon qelizat mbrojtëse T. Shkencëtarët besojnë se pas të njëzetave timusi fillon të zvogëlohet dhe të prodhojë më pak qeliza, por këta çiklistë e kishin numrin e njëjtë të qelizave T si të anketuarit e rinj.

Shkencëtarët shpresojnë që ky hulumtim do të ndihmojë për ta zgjidhur shumicën e problemeve të sotme, derisa është fakt që njerëzit jetojnë më gjatë, por janë gjithnjë e më të sëmurë.

Sikur ta largonin aktivitetin fizik nga jeta e tyre, shëndeti i të anketuarve sigurisht do të përkeqësohej, përcjell Koha.net. Autori i studimit, Norman Lazarus, i këshillon njerëzit që ta zgjedhin çfarëdo forme të ushtrimit dhe ta zhvillojnë shprehinë e ushtrimeve, sepse në këtë mënyrë do të mundë të argëtohen më shumë në pleqëri.