Pastrimi i shtëpisë e zvogëlon rrezikun e vdekjes së parakohshme

Pastrimi i shtëpisë e zvogëlon rrezikun e vdekjes së parakohshme

06 mars 2018 16:27

Kopshtaria, larja e dyshemesë dhe pastrimi i kuzhinës mund t’ua shpëtojnë jetën, pohohet në një studim të ri.

Në raportin e Universitetit McMaster në Kanada thuhet se pastrimi i shtëpisë pesë herë në javë për vetëm gjysmë ore e zvogëlon rrezikun e vdekjes me 28 për qind dhe rrezikun e sëmundjeve të zemrës me 20 për qind, transmeton koha.net.

Sa më shumë punë që bëni, aq më mirë për shëndetin tuaj. Nëse jeni aktiv për 750 minuta në javë, ju e zvogëloni mundësinë e vdekjes së parakohshme me 40 për qind.

Studiuesit shpresojnë se raporti i tyre do t'i inkurajojë njerëzit të lëvizin edhe nëse nuk kanë qasje në palestër.

Në studim morën pjesë 130.000 persona të cilët u përcollën për shtatë vjet. Pjesëmarrësit ishin midis 35 dhe 70 vjeç dhe jetonin në 17 vende të ndryshme. Secili pjesëmarrës dha të dhëna për gjendjen e vet socio-ekonomike, shprehitë jetësore, historinë shëndetësore, historinë familjare të sëmundjeve kardiovaskulare, peshën, gjatësinë, masat e ijëve dhe të belit dhe nivelin e presionit të gjakut.

Ata, gjithashtu, e plotësuan një pyetësor për llojet e aktivitetit fizik që i bëjnë. U zbulua se tetë për qind e vdekjeve do të parandaloheshin, ndërsa përqindja e pacientëve me sëmundje të zemrës do të binte për pesë për qind nëse të gjithë do t’i bënin 150 minuta aktivitet fizik në javë.

Nëse nuk jeni tipa që ju pëlqen pastrimi, atëherë mund të ecni deri në punë ose të filloni të ushtroni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme