Lifestyle

Gripi mund të përhapet edhe vetëm përmes frymëmarrjes

Virusi i gripit mund të përhapet më lehtë sesa që mendohej më parë, sipas një studimi të ri të udhëhequr nga universiteti i Marylandit. Njerëzit zakonisht besojnë se mund të preken nga gripi duke u ekspozuar ndaj pikave nga kolli ose teshtitja e personit të infektuar ose duke i prekur sipërfaqet e kontaminuara. Por, informacionet e reja rreth bartjes së gripit tregojnë se mund ta bartim gripin tek të tjerët vetëm duke marrë frymë.

Studimi i titulluar "Infectious virus in exhaled breath of symptomatic seasonal influenza cases from a college community," i publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences, ofron prova të reja për rëndësinë e mundshme të transmetimit në ajër për shkak të sasive të mëdha të virusit infektiv të cilin hulumtuesit e gjetën në frymëmarrjen e liruar nga njerëzit që vuajnë nga gripi, transmeton koha.net.

"Ne kemi zbuluar se rastet e gripit e kontaminuan ajrin rreth tyre me virusin infektues vetëm duke marrë frymë, pa u kollitur ose teshtitur", shpjegon dr. Milton, profesor i shëndetit mjedisor në Shkollën e Shëndetit Publik të universitetit Maryland dhe hulumtues kryesor i këtij studimi. "Njerëzit me grip prodhojnë aerosole infektive (pika të vogla që qëndrojnë pezull në ajër për një kohë të gjatë), madje edhe kur nuk kolliten dhe sidomos gjatë ditëve të para të sëmundjes. Kështu kur dikush preket nga gripi, ai duhet të shkojë në shtëpi dhe të mos qëndrojë në vendin e punës dhe t’i infektojë të tjerët".

Hulumtuesit nga universiteti i Maryland, universiteti Shtetëror i San Jose, universiteti Shtetëror i Missourit dhe universiteti i Californisë, Berkeley kontribuuan në këtë studim të financuar nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Institutet Kombëtare të Shëndetit.

Dr. Milton dhe ekipi i tij kërkimor e kapën dhe e karakterizuan virusin e gripit të liruar nga frymëmarrja nga 142 raste të konfirmuara të njerëzve me grip gjatë frymëmarrjes natyrale, e folura, kollitja spontane, dhe teshtitja, dhe e vlerësuan infektivitetin e aerosoleve të gripit të shkaktuar në mënyrë natyrale. Pjesëmarrësit i ofruan 218 mostra nazofaringale dhe 218 mostra 30 minutëshe të frymëmarrjes, kollitjeve spontane dhe teshtitjes në ditën e parë, të dytë dhe të tretë pas fillimit të simptomave.

Analiza e virusit infektiv e marrë nga këto mostra tregoi se një numër i konsiderueshëm i pacientëve me grip në mënyrë rutinore e përhapnin virusin infektiv, dhe jo ARN-në e dallueshme, në grimca aerosoli mjaft të vogla për të paraqitur rrezik për transmetimin në ajër.

Çuditërisht, 11 (48%) nga 23 mostrat e aerosolit të marra në mungesë të kollitjes kishin ARN të dallueshëm viral dhe 8 prej këtyre 11 e përmbanin virusin infektiv, duke sugjeruar që kollitja nuk ishte e nevojshme për gjenerimin e aerosoleve të infektuara në pikat e imëta të aerosolit. Përveç kësaj, disa nga teshtitjet e vëzhguara nuk u shoqëruan me numra më të mëdha të kopjuara virale të ARN-së në aerosole të vrazhda ose të imëta, duke sugjeruar se teshtitja nuk e jep ndonjë kontribut të rëndësishëm në shpërndarjen e virusit të gripit në aerosole.

"Rezultatet e studimit sugjerojnë që mbajtja e sipërfaqeve të pastra, duke i larë duart gjatë gjithë kohës dhe duke i shmangur njerëzit që kolliten nuk siguron mbrojtje të plotë nga infektimi prej gripit", tha Sheryl Ehrman, dekane e Kolegjit Charles W. Davidson për Inxhinieri në Universitetin Shtetëror të San José. "Qëndrimi në shtëpi dhe hapësira jopublike mund të bëjë ndryshim në përhapjen e virusit të gripit."

Sipas autorëve, gjetjet mund të përdoren për t’i përmirësuar modelet matematikore të rrezikut të transmetimit ajror të gripit nga njerëz me sëmundje simptomatike dhe për të zhvilluar ndërhyrje më të efektshme të shëndetit publik dhe për ta kontrolluar dhe zvogëluar ndikimin e epidemive dhe pandemive të gripit. Për shembull, mund të bëhen përmirësime në sistemet e ventilimit për ta zvogëluar rrezikun e transmetimit në zyra, klasa shkollore dhe makina nëntokësore. Ndërkohë, të gjithë mund ta respektojmë këshillën që të qëndrojmë në shtëpi, nëse është e mundur, kur fillojmë të sëmuremi për të parandaluar edhe më shumë raste të gripit. Dhe, të vaksinohemi - nuk është proces i përsosur, por e parandalon një sasi të konsiderueshme të sëmundjeve të rënda.