Lifestyle

Këshillat dhe mitet më të shpeshta rreth dobësimit që duhet t’i injoroni

Gjithmonë hani mëngjes, madje edhe kur nuk jeni të uritur

Sigurisht keni dëgjuar se sa e rëndësishme është të hani mëngjes për ta përshpejtuar metabolizmin tuaj pas disa orëve të gjumit. Për këtë arsye shumë njerëz në mëngjes e hanë kafjallin, edhe nëse nuk janë të uritur. Megjithatë, kafjalli nuk është i domosdoshëm për t’u dobësuar.

Në fakt, studimet kanë treguar se ngrënia ose anashkalimi i kafjallit ka shumë pak ndikim në peshë. Anashkalimi i mëngjesit është një lloj i agjërimit i cili i ndihmon njerëzit që ta humbin peshën e tepërt dhe ta përmirësojnë shëndetin, transmeton koha.net.

Sido që të jetë, organizmi i secilit është i ndryshëm dhe ju duhet ta gjeni një mënyrë ideale për veten. Nëse nuk jeni të uritur në mëngjes, mos e detyroni veten të hani.

Mos e matni veten çdo ditë

Pesha e trupit mund të ndryshojë në varësi të një varg faktorësh dhe për këtë arsye shpesh këshillohet që gjatë dietës të mos e matni veten çdo ditë.

Pesha trupore mund të ndryshojë gjatë ditës dhe të jetë e varur nga një numër faktorësh si ruajtja e ujit, frekuenca e shkuarjes në tualet, apo luhatjet hormonale, prandaj matja e përditshme nuk është gjithmonë një tregues i rëndësishëm i gjendjes reale.

Megjithatë, matja e përditshme nuk ndikon negativisht në humbje të peshës dhe shumica e njerëzve e konsiderojnë atë të dobishme, sepse i ndihmon ata të mbesin të motivuar dhe të fokusuar në qëllimin e tyre dhe të mos relaksohen shumë.

Bëni detoksim me lëngje natyrale

Gjatë disa viteve të fundit janë jashtëzakonisht të popullarizuara dietat e lëngshme me lëngje natyrale me qëllim të detoksifikimit të organizmit, dhe shpesh premtojnë humbje ekstreme të peshës në një periudhë shumë të shkurtër. Duhet ditur se këtu kryesisht bëhet fjalë për ujin, apo kilogramët që paraqiten për shkak të inflamacionit të organizmit dhe kequshqyerjes afatgjatë, dhe jo për depozitat yndyrore.

Pavarësisht faktit që detoksifikimi i organizmit në një periudhë të shkurtër mund të jetë ide e mirë, fakt është se çdo dietë me pak kalori do të shkaktojë humbje të madhe peshe. Megjithatë, detoksifikimi e ka për qëllim vetëm këtë – humbjen e shpejtë të peshës, dhe në asnjë mënyrë nuk ndihmon në krijimin e shprehive të shëndetshme.

Përveç kësaj, një nga të metat më të mëdha të këtyre dietave është efekti yo-yo, pra fakti se kilogramët në shumicën e rasteve kthehen pas kthimit në një dietë normale.

Edhe një gjë - për detoksifikim na shërbejnë mëlçia jonë dhe organet e tjera të cilat këto punë i kryejnë çdo ditë me sukses.

Fokusimi në ushtrimet kardio

Ushtrimet kardiovaskulare, të njohur si ushtrimet aerobike janë të shkëlqyeshme për zemrën, reduktimin e stresit dhe shëndetin në përgjithësi. Megjithatë, nuk duhet të mbështeteni vetëm tek ato nëse dëshironi të humbni peshë.

Humbja e peshës me ushtrimet kardio është individuale - disa njerëz dobësohen, disa mbesin njëjtë, ndërsa disa madje mund të shtojnë në peshë.

Mos kini frikë nga ngritja e peshave – ajo që duhet ta bëni është që t’i kombinoni ushtrimet kardio me ushtrimet e forcës për t’i pasur rezultatet më të mira.

Mënjanimi i ushqimeve yndyrore

Shmangia e ushqimeve yndyrore në procesin e dobësimit nuk është ide e mirë. Yndyrat kanë dy herë më shumë kalori se sa proteinat dhe karbohidratet, por ato janë gjithashtu të ngopura dhe trupi ka nevojë për më shumë kohë për t’i tretur, gjë që ju bën të ndiheni më të ngopur.

Dietat standarde joyndyrore ishin shumë të popullarizuara disa vjet më parë, por gjatë viteve të fundit një numër studimesh tregojnë se demonizimi i yndyrës nuk është i nevojshëm. Trupi ynë ka nevojë për yndyra të shëndetshme të cilat gjenden në avokado, vaj ulliri, vaj kokosi dhe në fara, ndërkohë që është dëshmuar të jenë efektive edhe në procesin e humbjes së peshës.

Kohët e fundit është shumë e njohur dieta LCHF apo dieta ketogjenike, e cila e përfshin konsumin e shtuar të yndyrave dhe konsumin e reduktuar të karbohidrateve. Dieta ketogjenike është e bazuar në një konsum shumë të ulët të karbohidrateve dhe konsumin e rritur të yndyrave të cilat janë aktualisht karburant shtytës dhe në këtë rast vjen deri tek humbja e yndyrës dhe stabilizimi i sheqerit dhe insulinës në gjak.

Konsumimi i ushqimeve me yndyrë të reduktuar e nënkupton konsumin e më shumë karbohidrateve, gjë që tek shumica e njerëzve e pengon procesin e humbjes së peshës, meqë e krijon një dëshirë edhe më të madhe për ëmbëlsira, mes-ushqime të kripura etj.

Hani çdo 2-3 orë

Sigurisht keni dëgjuar se më mirë është që gjatë ditës t’i hani disa vakte të vogla çdo dy deri në tre orë dhe se kjo është mënyra ideale për ta përshpejtuar organizmin dhe për ta nxitur humbjen e yndyrës.

Ky në fakt është një mit.

Më shumë vakte të vogla në ditë nuk do të rezultojnë në dobësim, nëse e krahasojmë këtë me rastin e konsumimit të dy ose tre vakteve në ditë.

Problemi më i madh me ngrënie konstante është që shpesh përfundojmë me shumë kalori të konsumuara.

Shumë njerëz, megjithatë, dobësohen me sukses duke e anashkaluar përkohësisht ndonjë shujtë (agjërim i përkohshëm), kështu që është e nevojshme që ta gjeni mënyrën e duhur për veten tuaj.

Numëroni kaloritë

Edhe pse për dobësim nevojitet deficit i kalorive (të digjni më shumë se që konsumoni), kaloritë janë vetëm një pjesë e tregimit, prandaj nuk është njëjtë nëse i hani 400 kalori të cilat janë kryesisht karbohidrate dhe 400 kalori me proteina dhe yndyra.

Proteinat dhe yndyrat do t’ju mbajnë më gjatë të ngopur, ndërsa ushqimi i pasur me karbohidrate do të ndikojë në rritjen e menjëhershme të sheqerit në gjak për të ardhur më shpejt deri tek rënia dhe dëshira për konsumim të sërishëm (të sheqerit).

Sido që të jetë, këshillat për dobësim mos i merrni dosido - ajo që ndihmon tek dikush tjetër nuk ju ndihmon domosdo edhe juve, prandaj sigurohuni që vetë ta gjeni mënyrën e duhur për veten tuaj.