Lifestyle

Me ushqim kundër pagjumësisë: hani banane, bollgur dhe gjeldeti

Pagjumësia (insomnia) ndikon në jetën e miliona njerëzve në mbarë botën, por ekspertët thonë të mos e humbni shpresën, sepse zgjidhja për këtë problem mund të gjendet në ushqim.

Revista National Geographic Food i zbuloi pesë ushqimet të cilat secili prej nesh duhet t’i hajë për të fjetur më mirë, dhe për ta tejkaluar pagjumësinë.

Duhet ta minimizoni sa më shumë konsumin e ushqimeve pikante, ushqimeve yndyrore, kafeinës dhe pijeve alkoolike, sepse ato e irritojnë sistemin e tretjes, gjë që e parandalon gjumin e thellë. Rekomandohet konsumi i qumështit, mishit, vezëve, peshkut dhe perimeve, transmeton Koha.net. Përbërësit kryesorë janë aminoacidet, sepse ato e lirojnë hormonin për gjumë melatoninë. Ato mund të gjenden në djathë, por mos e hani atë me krekerë, sepse ato bëjnë që truri të jetë në gjendje të kujdesit.

Në vendin e parë ekspertët e këshillojnë konsumin e Marmites, një kremë për lyerje buke, e errët dhe e dendur, nga ekstrakti i majasë (tharmit) e pasuruar me vitaminë B, por edhe magnezi i cili i qetëson nervat, i relakson muskujt dhe e përmirëson gjumin.

Nga mishi rekomandohet mishi i gjeldetit për shkak se ka nivele të larta të triptofanit i cili e përmirëson gjumin.

Rekomandohen edhe bananet të cilat janë të pasura me magnez, kalium, triptofan dhe vitaminë B. Ato konsiderohen një pilulë natyrale për gjumë.

Bajamet kanë yndyra të shëndetshme dhe magnez, dhe janë të shëndetshme edhe për shumë organe.

I fundit në listë është bollguri i cili është i mbushur me vitamina, minerale dhe aminoacide, të cilat e ndihmojnë trupin për të prodhuar melatoninën përgjegjëse për gjumë.