Lifestyle

Kimia e seksit, drogës dhe rock n’ rollit në tru

I njëjti sistem tru-kimikat, i cili ndërmjetëson ndjenja të kënaqësisë nga seksi, drogave rekreative, dhe ushqimit, është gjithashtu i rëndësishëm për të përjetuar kënaqësi muzikore, sipas një studimi nga hulumtuesit e Universitetit McGill të publikuar së fundi në revistën e Nature, Scientific Reports, transmeton koha.net.

"Ky është demonstrimi i parë që opioidet e vet trurit janë të përfshira drejtpërdrejt në kënaqësi muzikore", thotë psikologu kognitiv Daniel Levitin, autor i lartë i punimit. Derisa puna e mëparshme nga laboratori i Levitin dhe të tjerëve e kishte përdorur neuroskanimin për t’i hartëzuar fushat e trurit që janë aktive gjatë momenteve të kënaqësisë muzikore, shkencëtarët ishin në gjendje vetëm ta tregonin përfshirjen e sistemit opioid.

Në studimin e ri, ekipi i Levitin në McGill në mënyrë selektive dhe përkohësisht i bllokoi opioidet në tru duke përdorur naltrekson, një medikament gjerësisht i përshkruar për trajtimin e çrregullimeve të varësisë. Hulumtuesit pastaj i matën "reagimet ndaj muzikës, dhe zbuluan se edhe kënga e preferuar e pjesëmarrësve nuk shkaktonte më ndjenja të kënaqësisë.

"Vetë gjetjet kanë qenë ato që ne i hipotetizuam", thotë Levitin. "Por anekdotat - përshtypjet të cilat pjesëmarrësit tanë i ndanë me ne pas eksperimentit - ishin interesante. Një prej tyre tha: "E di se kjo është kënga ime e preferuar, por nuk po ma ofron ndjenjën që ma ofron zakonisht." Një tjetër pjesëmarrës tha: "Kjo tingëllon bukur, por nuk po bën asgjë për mua."

Gjërat me të cilat njerëzit kënaqen - alkooli, seksi, një lojë miqësore e pokerit, vetëm disa shembuj - mund të çojnë në sjellje të varësisë e cila mund t’i dëmtojë jetët dhe marrëdhëniet. Prandaj, të kuptuarit e rrënjëve neurokimike të kënaqësisë ka qenë një pjesë e rëndësishme e hulumtimit neuroshkencor për dekada të tëra. Por shkencëtarët vetëm kohët e fundit i zhvilluan mjetet dhe metodat për të bërë kërkime të tilla tek njerëzit.

Megjithatë, ky studim rezultoi të jetë "detyra më e madhe, më e vështirë dhe më Sizifiane të cilën laboratori ynë e ka ndërmarrë në 20 vitet e hulumtimit", thotë Levitin. "Sa herë që u jepni ilaçe të përshkruara studentëve që nuk kanë nevojë për to për arsye shëndetësore, duhet të jeni shumë të kujdesshëm që të siguroheni të mos ketë ndonjë efekt të mundshëm negativ." Për shembull, nga të 17 pjesëmarrësit u kërkua që ta bëjnë një analizë të gjakut brenda vitit para eksperimentit, për t’u siguruar që ata nuk e kanë asnjë sëmundje e cila do të përkeqësohej nga ilaçi.

Universaliteti i muzikës dhe aftësia e saj për të ndikuar thellësisht në emocione sugjerojnë për një origjinë evolutive, dhe zbulimet e reja "shtohen në numrin në rritje të provave për substrate evolucionare biologjike të muzikës," shkruajnë hulumtuesit.