Lifestyle

Ecja e rregullt mund ta ulë rrezikun prej vdekshmërisë

Në epokën e Fitbit, Apple Watch dhe aplikacioneve të shumta që u mundësojnë njerëzve t’i numërojnë hapat - me një synim ditor prej 10.000 hapash, shumicën e kohës - shumë njerëz mund të mendojnë se ecja është e dobishme vetëm nëse i përmbushni disa synime të caktuara hapash.

Një studim i ri, i publikuar së fundi në American Journal of Preventive Medicine, sugjeron se ecja e rregullt, edhe pa përmbushjen e synimeve minimale, mund ta ulë rrezikun e vdekshmërisë së një personi kur krahasohet me të qenit pasiv.

“Ecja është përshkruar si ‘ushtrim i përsosur’, sepse është e thjeshtë, falas, e përshtatshme, nuk e kërkon ndonjë pajisje ose trajnim të veçantë dhe mund të bëhet në çdo moshë”, tha dr. Alpa Patel, studiuese në Intramural Research Departament of the American Cancer Society në një njoftim për shtyp, transmeton Koha.net.

Udhëzimet aktuale rekomandojnë që të rriturit t’i bëjnë të paktën 150 minuta të aktivitetit të moderuar ose 75 minuta të aktivitetit fizik intensiv në javë, por vetëm rreth gjysma e të rriturve aktualisht i përmbushin këto udhëzime.

Për studimin në fjalë, hulumtuesit i analizuan të dhënat e mbi 140,000 pjesëmarrësve të moshuar më të vjetër se 65 vjeç në Cancer-Prevention Study II Nutrition Cohort, ku 95 për qind e pjesëmarrësve përfshiheshin në ecje dhe pjesa tjetër nuk raportoi veprimtari të moderuar apo intensive.

Hulumtimi tregoi se ecja prej diç më pak se dy orësh në javë ishte e lidhur me një shkallë më të ulët të vdekshmërisë për të gjitha shkaqet krahasuar me të qenit krejtësisht pasiv. Ecja prej dy orë e gjysmë deri në pesë orë në javë e tregoi një rrezik 20 për qind më të ulët të vdekshmërisë.

Ecja ishte, gjithashtu, e lidhur me lloje specifike të rreziqeve më të ulëta të vdekshmërisë, për shembull, ecja prej më shumë se gjashtë orësh në javë ishte e lidhur me një rrezik të vdekshmërisë prej 35 për qind më të ulët nga sëmundjet e traktit respirator.

Pjesëmarrësit të cilët ecën si forma e tyre e vetme e ushtrimeve e kishin një rrezik 20 për qind më të ulët të vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe një rrezik 9 për qind më të ulët të vdekjeve nga kanceri.

Për të rriturit më të moshuar, ecja edhe nën udhëzimet minimalisht të rekomanduara u shoqërua me një rrezik më të ulët të vdekshmërisë në krahasim me të qenit plotësisht pasiv, përcjell Koha.net.

“Ndërkohë që deri në vitin 2030 pritet pothuajse dyfishimi i të rriturve të moshave 65 dhe më të vjetër, mjekët duhet t’i inkurajojnë pacientët të ecin edhe nëse e bëjnë këtë më pak se niveli i rekomanduar, sidomos derisa plaken, për shëndet dhe jetëgjatësi”, tha Patel.