Lifestyle

Shkencëtarët zbulojnë se birra e përmirëson disponimin për shkak të hordeinës dhe jo për shkak të alkoolit

Duke pasur parasysh se ushqimi i caktuar na bën më të lumtur, shkencëtarët gjermanë në Universitetin Friedrich-Alexander Erlangen-Nürnberg (FAU) kanë hulumtuar se çfarë është më meritore për përmirësimin e disponimit. Sipas rezultateve të hulumtimit të tyre, bëhet fjalë për hordeinën e cila gjendet në birrë, dhe e cila e aktivizon receptorin kyç të dopaminës1.

Shkencëtarët e kanë ngritur një bazë të dhënash me 13.000 molekula të pranishme në produktet ushqimore. Duke e përdorur bazën e të dhënave, ata kishin për qëllim t’i gjenin molekulat që e stimulojnë të ashtuquajturin receptor të dopaminës D2 në tru. Nga 13.000 sa ishin në fillim, ata i zgjodhën 17 opsione burimesh. Hulumtimi i mëtejshëm tregoi se hordeina, materia e cila është e pranishme në elb dhe birrë, është më përgjegjësja për përmirësimin e disponimit, sepse e aktivizon receptorin kyç të dopaminës, transmeton koha.net.

"Bazuar në praninë e saj në birrë, mund të konkludojmë se hordeina kontribuon dukshëm në efektet e birrës për përmirësimin e disponimit", tha Monika Pischetsrieder, një nga autoret e këtij studimi.

Shkencëtarët po hulumtojnë tani se sa hordeinë është e pranishme në birrë dhe sa hordeinë vjen në tru. Monika Pischetsrieder shpjegoi se në disponim të mirë kryesisht ndikon kombinimi i substancave dhe thekson se, për shembull, tek konsumimi i patatinave, disponimin e përmirësojnë yndyrat dhe karbohidratet.

Studimi u publikua në revistën shkencore Scientific Reports.