Lifestyle

Dieta LCHF - mënyra “e re, e vjetër” e të ngrënit

Dieta LCHF ose më saktë "Low Carb High Fat" (dieta me pak karbohidrate e shumë yndyra) është një lloj i dietës i bazuar në konsumin e rritur të yndyrave të shëndetshme natyrore përkundër karbohidrateve sot gjithnjë e më të popullarizuara.

Hulumtuesit suedezë, si zakonisht, gjithmonë diçka hulumtojnë, por këtë herë na tronditën mirë kur e lëshuan një deklaratë sipas të cilës në fakt për vite me radhë nuk jemi duke u ushqyer si duhet, apo që piramidën e të ushqyerit e kemi kthyer krejt mbrapsht. Atëherë ku është në fakt poenta? Suedezët thonë se paraardhësit tanë kishin dietë ideale. Me këtë ata nuk u referohen paraardhësve tanë të fundit, por atyre nga dhjetëra mijëra vjet më parë, kur prodhimi i grurit nuk ishte ende në horizont. Ata u referohen atyre të parëve që hanin ekskluzivisht nga gjuetia, peshkimi dhe grumbullimi i frutave, transmeton koha.net.

Piramida dietale LCHF, të cilën mund ta shihni në foto, na tregon se në fakt perimet duhet të jenë baza e dietës sonë, baza në të cilën do t’i dozojmë ushqimet e tjera. Ajo gjithashtu na tregon se duhet të konsumojmë më shumë yndyra të shëndetshme dhe acide yndyrore në kurriz të karbohidrateve. Nga kjo konkludojmë se në pjatën tonë çdo ditë në sasi dominuese duhet të jenë ushqimet si: spinaqi, lakra, kungulli i njomë, peshku, mishi dhe shumë të tjerë.

Me gjithë ushqimet "ideale", maja e piramidës së LCHF përbëhet prej ushqimeve që duhet anashkaluar në një hark të gjerë. Nën ushqimet negative përfshihen ushqimet me një përqindje të lartë të karbohidrateve, yndyrave të pashëndetshme dhe "kalorive boshe". Shembuj të këtyre ushqimeve janë drithërat glutenike dhe mielli i këtyre drithërave, perimet bishtajore, vajrat bimore, patatinat, çokollatat dhe shumë të tjera, veçanërisht ato me indeks të lartë glikemik.

Në çfarë bazohet kjo mënyrë "ideale" e të ushqyerit?

Të ushqyerit LCHF bazohet në kufizimin e konsumimit të karbohidrateve, gjë që çon në një reduktim në sekretimin e hormonit të insulinës, i cili, të mos e harrojmë, është përdorur për rregullimin e glukozës në gjak dhe metabolizmin e karbohidrateve dhe yndyrave në trup. Ky është hormoni i cili ia mundëson glukozës që nga gjaku të hyjë në qelizat e trupit, ku shndërrohet në energji për trup dhe gjithashtu e rregullon ruajtjen e tepërt të glukozës në formën e yndyrës. Pikërisht me kufizimin e saj në gjak kontribuojmë në shpenzimet e depozitave yndyrore të dëmshme që ruhen "për më vonë", e përshpejtojmë metabolizmin i cili e rregullon peshën e trupit tonë dhe ia mundësojmë pankreasit tonë një jetë të qetë.

Si të funksionojë trupi im pa glukozë?

Trupi juaj përmes konsumit të kufizuar të karbohidrateve do të fillojë t’i shpenzojë depozitat yndyrore si një burim të energjisë, respektivisht trupi juaj do të ushqehet me ketone. Ky edhe është qëllimi ynë, kur është fjala për programin e humbjes së peshës, por çfarë kur arrijmë peshën ideale? LCHF këtu reagon me një rritje të vogël të dozës së karbohidrateve, e cila do të arrijë në rreth 100 gramë në ditë, vetëm që trupit t’i parandalohet djegia e mëtejshme e yndyrës dhe humbjes së muskujve.

Kur i shikojmë të gjitha, kjo mënyrë e të ngrënit i ka përparësitë dhe mangësitë e veta. Ende nuk jemi të sigurt se ku mund të na çojë pas disa viteve të kaluara me të, apo nuk e dimë se çfarë janë pasojat për shëndetin tonë të përgjithshëm. Ajo e promovon humbjen natyrore të peshës, por na pamundëson ushtrimin intensiv dhe kryerjen e aktiviteteve të caktuara fizike për shkak të mungesës së marrjes së karbohidrateve.

Në fund, vetëm mund të pyesim nëse kjo është një dietë e cila do të bëjë revolucion në ushqyerjen njerëzore apo jo.