Lifestyle

Mitet dhe faktet për dhimbjet kronike

Fakt: Moti mund të ndikojë në dhimbje

Nëse dhimbja në nyja përkeqësohet kur është ftohtë apo bie shi, atëherë këtë nuk e keni imagjinuar. Edhe pse ekzistojnë rezultate të ndryshme kërkimore, ndryshimet në presion mund të shkaktojnë rritje të dhimbjes në nyja. Kjo është veçanërisht e vërtetë për personat me artrit.

Fakt: femrat e përballojnë dhimbjen më lehtë

Femrat tregojnë për lindjen si prova e pragut më të lartë të dhimbjes, por fakti është se femrat dhe meshkujt e tolerojnë dhimbjen ndryshe. Femrat më shpejt kërkojnë zgjidhje dhe trajtim, dhe më shpejt shërohen se meshkujt. Ekspertët thonë se dhimbja është individuale dhe është e vështirë të krahasohet niveli i dhimbjes në mes të njerëzve.

Mit: pushimi e lehtëson dhimbjen e shpinës

Edhe pse pushimi i shkurtër mund të përshkruhet për ta trajtuar dhimbjen e shpinës, më së miri është të jeni aktiv. Ekspertët thonë se pushimi i plotë është një nga gjërat më të këqija që mund t’i bëni. Nëse nuk jeni aktiv, trupi juaj krijon edhe më shumë dhimbje. Kufizojeni ushtrimin gjatë episodeve akute të dhimbjes, por vazhdoni të kryeni aktivitete të përditshme dhe ushtroni sipas udhëzimeve të mjekut.

Fakt: humbja e peshës mund ta lehtësojë dhimbjen

Nëse jeni obesë, ka më shumë presion në nyja të trupit dhe në shpinë. Me humbjen e peshës mund t’i lehtësojmë nyjat dhe ta largojmë dhimbjen e shpinës të shkaktuar nga lodhja e muskujve.

Fakt: ushtrimet e mënjanojnë dhimbjen

Edhe pse dhimbja mund ta vështirësojë ushtrimin, aktiviteti fizik është një nga gjërat më të mira që mund ta bëni për shëndetin tuaj. Ushtrimi mund t’ju ndihmojë të humbni peshë, të flini më mirë dhe ta përmirësoni humorin tuaj. Ai ju ndihmon në forcimin e muskujve, e lehtëson ngurtësimin e nyjave, e rrit kondicionin dhe e përmirëson koordinimin dhe ekuilibrin. Ecja, noti dhe shtrirja janë shembuj të mirë të aktivitetit të moderuar fizik.

Mit: Nëse nuk e dimë burimin e dhimbjes, atëherë ajo nuk ekziston

Vetëm për shkak se ndonjëherë nuk mund ta gjejmë burimin e saktë të dhimbjes, kjo nuk do të thotë se ajo është e imagjinuar. Ekzistojnë teste të cilat e masin intensitetin e dhimbjes, por nuk ekziston ndonjë pajisje e cila e tregon dhimbjen dhe e cila mund ta gjejë atë me saktësi.

Mit: Mos u shqetësoni nëse dhimbja ka intensitet të ulët

Shumë njerëz besojnë se dhimbja është diçka me të cilën duhet të jetojmë, por dhimbja nuk duhet të injorohet, pavarësisht intensitetit të saj. Nëse dhimbja nuk zhduket pas farmakoterapisë, vizitoni mjekun.

Fakt: Qëndrimi juaj mund të ndikojë në dhimbje

Nëse përqendroheni në dhimbje, do t’ju dhembë më shumë. Dhimbja e fortë dhe e vazhdueshme mund të çojë në depresion dhe ankth. Mendoni për këshillim se si ta përballoni dhimbjen.

Mit: Nuk ka përparim pa dhimbje

Edhe pse është mirë që përmes ushtrimeve t’i lëvizni kufijtë, është e rëndësishme të dini se kur të ndaloni. Dhimbja e paralajmëron trupin se diçka nuk është në rregull. Kurrë nuk duhet të ndieni dhimbje gjatë ushtrimeve. Nëse e ndieni, ndaloni dhe bëni pushim.

Mit: Dhimbja është pjesë e plakjes

Flokët e thinjura, rrudhat dhe dhimbja, janë karakteristikat kryesore të plakjes. Megjithatë, dhimbja kronike nuk është e zakonshme. Shumica e njerëzve do të duhej të jenë në gjendje të bëjnë jetë normale, pa dhimbje e cila i kufizon ata në aktivitetet e tyre të përditshme.

Mit: ilaçet kundër dhimbjes shkaktojnë varësi

Kur merren sipas përshkrimit, ilaçet rrallëherë shkaktojnë varësi. Megjithatë, trupi mund të bëhet i varur fizikisht nga ilaçet kundër dhimbjes. Edhe pse kjo nuk do të thotë se jeni të varur, ju mund të keni simptoma të tërheqjes nëse e ndaloni menjëherë marrjen e ilaçeve. Ky është reagim i pritur fizik pas ndalimit të ilaçeve të cilat i merrni një kohë të gjatë. Mjeku mund t’ju ndihmojë ta ndërprisni marrjen e ilaçeve në mënyrë të sigurt.